Ceremonia e “Topit të Artë 2023”/ Caktohet data zyrtare e ndarjes së çmimeve

schedule11:38 - 9 Qershor, 2023

schedule 11:38 - 9 Qershor, 2023

“France Football” ka konfirmuar se të nominuarit për “Topin e Artë 2023” do të shpallen më 6 shtator.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve të këtij viti do të zhvillohet të hënën më 16 tetor dhe disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit ka të ngjarë të jenë në garë për nderin prestigjoz. Lista e 30 lojtarëve që do të fitojnë çmimin do të publikohet më 6 shtator.

Si çdo vit edhe tani, ceremonia do të mbahet në “Theatre du Chatelet” në Paris duke nisur nga ora 19:00. Në njoftimin për shtyp saktësohet se zbulimi i lojtarëve të nominuar për Topin e Artë mashkull dhe femër, trofeun Kopa (i riu më i mirë), si dhe trofeun Yachine (portieri më i mirë), do të bëhet më 6 shtator. Të nominuarit për çmimin Socrates, një trofe që shpërblen futbollistët e angazhuar në projekte shoqërore që nga viti 2022, do të shpallen më herët, më 7 korrik.

Leo Messi duket se është favorit për çmimin e “Topit të Artë 2023”. 35-vjeçari fitoi Kupën e Botës 2022 me Argjetinën dhe titullin e Ligue 1 me PSG. Ai shënoi shtatë gola dhe dha tre asistime në tetë ndeshje në Kupën e Botës. Messi gjithashtu shënoi 21 gola dhe asistoi 20 herë në 41 ndeshje në të gjitha garat për PSG këtë sezon.

Sulmuesi i Manchester City, Erling Haaland gjithashtu pritet të jetë kompetitiv. Norvegjezi 22-vjeçar ka shënuar 52 gola në po aq ndeshje në të gjitha garat. Ai ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në fitoret e Manchester City në Premier League dhe FA Cup. De Bruyne gjithashtu ka qenë fantastik, duke shënuar 10 gola dhe duke dhënë 31 asistime në 48 ndeshje.

Emra të tjerë gjithashtu në garë për “Topin e Artë” janë Vinicius Jr, Kylian Mbappe dhe Victor Osimhen.

Karim Benzema është mbajtësi pasi e fitoi këtë çmim vitin e kaluar. Ndërkohë, Messi është rekordmeni me shtatë trofe të tillë./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!