Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk e mbështet Shqipërinë në hapat që i duhen për t’u bërë në të ardhmen pjesë e Bashkimit Europian, ndonëse këto negociata nuk janë të lehta, u shpreh ai. Në deklaratën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, presidenti Tusk tha se sfida e radhës është të bindin të gjitha vendet që në qershor të votojnë pro Shqipërisë.
Edhe dielli nuk zhgënjeu në ditën që Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk vizitoi Shqipërinë. Përshkrimin e natyrës mikpritëse ia bëri vetë kryeministri Edi Rama me shpresën se edhe idetë e presidentit Tusk do të jenë po kaq të qarta për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Pas disa muajve të pazakonshëm pa diell, ku gati gati na u duk se jetonim në Londër arritëm me sukses ta pëesim me një diell që shkëlqen në lartësinë e famës së dritës në vendin tonë. Dielli i Shqipërisë do t’ia lehtësojë peshën e grisë së Brukselit prej nga ka ardhur”
Por kreu i Këshillit të Evropës nuk ka nevojë të ndricohet nga dielli i Shqipërisë kur bëhet fjalë për rrugëtimin e vendit tonë drejt destinacionit evropian. Ai ka ardhur t’i thotë shqiptarëve se është optimist për ëndrrën e tij.
“Është ëndrra ime është që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt Evropës si atdheu im. Nuk kam asnjë dyshim se ju do ta bëni këtë”.
Pranon se nuk i lëshon fjalët kuturu por i ka të bazuara, pra edhe optimizimi nuk është thjesht euforik.
“Mund të mbështeteni tek unë në këtë proces të ndërlikuar dhe sfidues. Unë zakonisht jam i kujdesshëm, por mund të them se jam optimist për këtë perspektivë afatgjatë”.
Shqipërisë i vë notën mjaftueshëm për të nisur bisedimet. Sfida e radhës është që po kështu të mendojnë edhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.
“Jam i vetëdijshëm që ky proces do i ngjajë një gare me –pengesa ses anje autostrade. Integrimi i plotë është fati ynë i përbashkët. Është në interesin evropian që Shqipëria dhe gjithë rajoni i Ballkani të jetë pjesë e BE-së”.
Këto sfida i pranon edhe kryemnistri Edi Rama. Por që nuk janë arsye për të mos qenë optimist sipas tij.
“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e sfidat që na presin në këtë proces. Këto janë të kapërcyeshme vetëm përmes këtij procesi bashkëpunimi dhe ndërveprimi që na ka sjellë deri në këtë pikë mes vendit tonë dhe BE.
Dua ta falenderoj Presidentin që i përket asaj shkolle të besimit te Europa dhe përfaqësuesve të denjë të projektit të etërve thelmeleues të BE dhe atij rrethi miqsh që vazhdimisht e kanë inkurajuar Shqipërinë.
Për ne ky proces lidhet me të ardhmen e vendit tonë dhe detyrimet ndaj gjeneratave të tjera dhe detyrimin për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë. Është një proces që e kërkon interesi ynë kombëtar dhe i fëmijëve tanë”.
Shqipëria e ka treguar edhe më herët që qëndron në krah të Bashkimit Evropian, Rasti më i fundit që e përmendi edhe Presidenti Tusk është reagimi pas sulmit me agjentë nervorë ndaj ish-agjentit rus, Sergei Skripal.
“Shqipëria e tregoi me rastin Skripal se është një nga partnerët me besnikë të Bashkimit Europian”.
Të njëjtën buzëqeshje i mori kryeministrit Edi Rama presidenti Donald Tusk kur e përbylli fjalën e tij duke i bërë homazh markës unike siç e quajti ai tolerancën dhe bashkëjetesën fetare.
“Këto janë themelet që mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët dhe kam ndjesinë personale që jeni më europianë ju këtu se disa europianë të BE”.
Shqipëria shënon ndalesën e parë të turit një javor të Presidentit të Këshillit të Evropës Donald Tusk në Ballkanin Perëndimor. /abcnews.al