Celibashi takon vëzhguesit e 25 Prillit: Vlerësimet realiste, do përmirësojmë punën

schedule18:44 - 30 Shtator, 2021

schedule 18:44 - 30 Shtator, 2021

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka pritur sot në një takim delegacionin e misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it të zgjedhjeve të datës 25 prill 2021. Ai shprehet se rekomandimet e dorëzuara nga ambasadorja Urszula Gacek do të shërbejnë si pika referimi për përmirësimin e mëtejshëm të veprimtarisë së KQZ-së në adresimin e shqetësimeve të ngritura në raport.

“Mirëpritëm sot në KQZ Delegacionin e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it të zgjedhjeve të datës 25 prill 2021, të kryesuar nga Ambasadorja Urszula Gacek. Qëllimi i takimit ishte diskutimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, identifikimi i fushave për bashkëpunim të mëtejshëm.

Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i shpreha mirënjohjen Ambasadores Gacek për vlerësimet realiste të OSBE/ODIHR për aktivitetin e KQZ-së. Theksova se rekomandimet do të shërbejnë si pika referimi për përmirësimin e mëtejshëm të veprimtarisë së KQZ-së në adresimin e shqetësimeve të ngritura në raport.

Ambasadorja Gacek nga ana e saj vlerësoi se gjetjet e pasqyruara në raport mbi veprimtarinë e KQZ-së, mund të ndihmojnë KQZ-në dhe aktorët e tjerë që të ndërmarrin hapa të tjerë specifik për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore” shkruan ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!