Socialistët do të vijnë me një risi në celjen e fushatës elektorale. Gjatë pasdites së sotme rreth orës 17:00 PS do të zhvillojë një takim me gratë socialiste, takim I cili do të mbahet në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.
Gazetarja Greta Bullari tha për ABC News se është parashikuar të jetë një takim i gjatë me fjalë të disa prej zonjave socialiste kryesore të PS dhe që do të përmbyllet me fjalën e kryesocialistit Edi Rama. Po ashtu gjatë këtij takimi pritet të ketë edhe lidhje të drejpërdrejta me gra që janë në qarqe të tjera të vendit , në 12 qarqe dhe kjo duket se do të jetë edhe risia e PS, jo vetem sa i përket ditës së sotme por edhe ditën e nesërme kur do të jetë hapja zyrtare.
Nesër socialistët do të mblidhen në sheshin Skënderbej, pra më 12 prill, në orën 12:00 nën simbolikën e 12 yjeve në flamurin e Bashkimit Europian. Do të mblidhen në sheshin Skënderbej në një aktivitet hapës, festiv sikundër e ka cilësuar kryesocialisti Edi Rama. Shqipëria në BE në 2030, pritet të jetë kryefjalë e fushatës së socialistëve, angazhim i socialistëve është pasaporta europiane për qytetarët shqiptarë.
Fjalimet e ditës së shtunë pritet të kulmojnë me mesazhet e kryesocialistit Edi Rama, që do i drejtohet jo vetëm të pranishmëve në sheshin Skënderbej, por edhe lidhjeve të drejtpërdrejta që do të ketë me 12 qarqet e Shqipërisë, për të nisur kështu fushatën elektorale./abcnews.al