Hapet zyrtarisht gara për kryeprokurorin e ri të vendit. Çdo prokuror ka një muaj kohë në dispozicion për të aplikuar, ndërsa KLP ka 45 ditë në dispozicion për të bërë vlerësimin e kandidatëve.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur zyrtarisht garën për kryeprokurorin e ri të vendit. Pas botimit në fletoren zyrtare të rregullores së miratuar dy javë më parë nga KLP, prokurorët kanë një muaj kohë për të aplikuar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pas mbylljes se afatit 1 mujor të aplikimeve, do të nisë afati 45 ditor për vlerësimin nga KLP të kandidatëve në garë. Gara e ethshme midis kandidatëve do të jetë se kush do të zërë numrin 1 në renditjen e KLP-së. Tre emrat në krye të klasifikimit do të kalojnë në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të duhen 94 vota për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri të vendit.
Nëse parlamenti nuk arrin që të marrë një vendim, atëherë kryeprokuror emërohet automatikisht kandidati që është renditur i pari nga KLP. Prokurori i Përgjithshëm do të ketë mandat 7-vjeçar, por do të ketë më shumë funksion administrativ, pasi pjesa e vendimmarrjes i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Janë disa kushte që duhet të plotësoj një kandidat për të kandiduar për Prokuror të Përgjithshëm.
“Të ketë 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur; Të jetë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të ketë një gradë shkencore në drejtësi; Të mos ketë mbushur moshën e daljes në pension; Të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, para dorëzimit të shprehjes së interesit për Prokuror të Përgjithshëm, funksione politike në administratën publike; Të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit pozicione drejtuese në partitë politike; Të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 Korrikut 1991; të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; Të mos kenë qenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës; Të mos kenë masë disiplinore në fuqi”.
Në seancën e kësaj të hëne Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi prokurorin Arben Dyla përkohësisht në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje. Po ashtu përkohësisht në krye të prokurorisë së Fierit u caktua Violeta Shkurta. Me 10 vota pro, Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaroi mbarimin e statusit të magjistratit për prokurorin Ardian Nezha, sipas kërkesës së tij për dorëheqje. Në mbledhjen e sotme të KLP, me short ndër tre kandidatura, u përzgjodh Tartar Bazaj si anëtari i pestë i Komisionit të Posaçëm pёr vlerёsimin e kandidatёve pёr SPAK./abcnews.al