Çelet dega e Fotografisë në Universitetin e Arteve/ Drejtuesi i katedrës: Tashmë studentët nuk kanë pse largohen jashtë vendit

schedule10:31 - 25 Tetor, 2023

schedule 10:31 - 25 Tetor, 2023

Fotografi dhe drejtuesi i katedrës së fotografisë në Universitetin e Arteve, Albes Fusha ka zbuluar se si u çel kjo degë e re në vendin tonë.

I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai e ka konsideruar si një ëndërr të bërë realitet.

Sipas Fushës, nëse dikur studentët që donin të kryenin studimet për degën e Fotografisë, iknin jashtë vendit ose të detyruar zgjidhnin të studionin një lëndë tjetër, tashmë kanë një derë të hapur.

“Gjithmonë e kam pasur ëndërr të krijoja një shkollë. Kurse kam bërë gjithmonë, kurse individuale, kurse me grupe, por është tjetër sfidë të ndërtosh një shkollë. Është tjetër sfidë të dalin disa studentë nga një shkollë, të diplomohen, të marrin një diplomë të veçantë për fotografinë. Kushtet erdhën, momenti erdhi, edhe krahas programeve të tjera që gjenden aktualisht në Akademi, në fakultetin tonë të Arteve të Bukura, si grafika, multimedia, tekstili, skulptura, piktura dhe të tjera me radhë, tani kemi dhe fotografinë, po aq prestigjoze, po aq bashkëkohore sa këto degët e tjera. Siç e thatë dhe ju, është viti i dytë, i treti gati tashmë. Ka interes nga studentët, që nga listat e para, ku studentët aplikojnë për këtë degë, janë një shifër goxha e lartë dhe mua më vjen mirë për këtë dhe deri te ata që konkurojnë në fund. E veçanta e kësaj është se është një degë që mbledh disa nxënës nga liceu, se liceu ka një degë fotografie dhe deri dje ishte një andikap, sepse shkëputej. Ata mbaronin studimet në lice për fotografi dhe nuk kishin një derë të hapur në shkollën tonë që mund të vazhdonin. Edhe nëse vërtetë do të donin të vazhdonin për fotografinë, do të gjenin rrugën jashtë, apo do të vazhdonin degë të tjera”, u shpreh ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!