Apeli që ka deputeti Lefter Gështenja për të gjithë demokratët është komunikimi për t’u bashkuar me njëri tjetrin. Nga studioja e “ABC Live” Gështenja tha se 99% e grupit parlamentar kërkojnë bashkimin e PD.
“Sot PD është në një situatë të paimagjinueshme nga secili nga ne nga çdo demokrat. S’e kishim menduar se do vijmë deri në këtë pikë ku jemi sot. Faktorët i dimë. Kam qenë i pari që kam hedhur idenë për një zgjidhje. Kërkohet një armëpushim mes palëve.Që demokratët të jenë bashkë kam kërkuar një hap pas nga të gjithë ne. Duke filluar nga kryetari dhe të gjithë ne. Edhe unë jam gati të bëj një hap pas. Të mos vazhdojë më ky sulm qoftë në rrjete sociale qoftë në media.
Çfarë s’kemi thënë për njëri tjetrin të ndalojmë menjëherë. Nëse ne i duam demokratët. Një pjesë e mirë e kolegëve të mi deputetë i kërkuan dorëheqjen zoti Basha. Është një akt civil që çdonjëri nga ne duhet ta bëjë. Kujtoj mbledhjen e parë të 7 marsit që vinte pas deklaratës së Bashës se nuk kemi humbur asnjë garë. Kjo tingëllon keq te çdo demokrat. Sepse kur ne nuk kemi marrë asnjë bashki si mund ta thuash. Çfarë quajmë fitore atëherë? Humbës jemi. Duhet ta pranojmë. 99% e grupit parlamentar kërkojnë bashkimin e PD. Ky bashkim bëhet duke u ulur dhe duke komunikuar. Duhet të kërkojmë ura komunikimi”, tha ai.
Deklaratën e Bashës i cili tha se është i gatshëm për t’u ofruar për zgjidhjen e krizës në PD, Gështenja e lexon si një hap pas të kreu të PD. Sipas tij me këtë deklaratë Basha ka dhënë njëlloj sigurie se edhe dorëheqjen e jep për të zgjidhur krizën.
“Përtej artikulimit, Basha ka deklaruar se vihem në dispozicion të zgjidhjes.Pra Basha e ka bërë një hap pas. Ka pranuar në një mënyrë se edhe dorëheqjen e jep për zgjidhjen. Ne treguam se të ndarë nuk fitojmë. Në zgjedhjet vendore pas një viti në këtë situatë asnjë nga palët s’do jetë fituese. Pakënaqësia është e lexueshme”.
Ndërsa theksoi se zgjidhja më e mirë nuk janë përjashtimet nga partia, deputeti tha se PD është në një situatë të vështirë e ndarë në dy kampe. Sipas tij ka familjarë dhe njerëz të afërm që nuk flasin me njëri tjetrin pas përçarjes së partisë. Çelësi i zgjidhjes së kësaj krize sipas Gështenjës është “ulja e armëve”.
“Unë s’jam ndierë ndonjëherë keq në jetën time politike se sa kur demokratët më 6 mars i kthenin kurrizin njëri tjetrit. Ne kemi raste demokratë të afërm dhe familjarë që nuk flasin me njëri tjetrin për këtë situatë që është krijuar në PD. është shumë e rëndë. A duhet të tërhiqemi një hap pas? Po. Të mos shajmë njëri tjetrin. Unë s’jam për përjashtime unë jam për gjithpërfshirje. Çelësi do të ishte ulja e armëve me njëri tjetrin. Nëse atyre i dhimbset PD gjenden ura komunikimi”.
PD mund të avancojë në zgjidhjen e krizës nëse ngre një grup të përbashkët.
“Dorëheqja është akt civil që bën çdonjëri nuk jam unë që ia kërkoj. Unë s’kam deklaruar se Berisha duhet të tërhiqet nga jeta e tij politike. Berisha një hap pas e ka bërë. Ne mund të ulemi të ngremë një grup pune e të ecim përpara. PD të shkojë drejt zgjidhjeve. Zoti Sula hodhi dhe idenë e një platforme në një nga mbledhjet e grupit. Armëpushim është të ulemi të qetësohemi. Situata është më e qetë, janë duke reflektuar. Ne s’fituam të bashkuar e si mund të fitojmë ne të ndarë”.
/abcnews.al