“Çelësi” për mësimin e matematikës pa stres

schedule17:42 - 11 Shkurt, 2022

schedule 17:42 - 11 Shkurt, 2022

Katër vajza te reja nga fshati Ribar i Madh, 9 kilometra nga Lipjani, po synojnë ta bëjnë lëndën e matematikës më atraktive dhe më pak stresuese, për të paktën një pjesë të nxënësve të Kosovës.

Fjolla, Leonita, Mimoza dhe Agnesa janë nxënëse të klasës së 11-të në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan. Përveç se ndajnë të njëjtin vendbanim dhe klasë, ato kanë të përbashkët edhe pasionin për matematikën.

Mimoza thotë se mësimi i kësaj lënde nuk ka qenë gjithmonë i lehtë.

“E kam parë si një lëndë të mirë, por zakonisht më është bërë edhe monotone. Matematika është një prej lëndëve më të rënda dhe nxënësit e shohin si më stresuese”, tregon ajo.

Pikërisht kjo e ka shtyrë Mimozën dhe shoqet e saj që të bëjnë diçka.

Pasi më 2021 morën pjesë në një punëtori për inovacione nga të rinjtë, të quajtur UPShift, punëtori që u mundësua nga Fondacioni IPKO dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), ato zhvilluan idenë për projektin “Pa stres, me çelës”, për platformë online. Më pas ato fituan edhe mbështetje financiare për këtë projekt, i cili pritet të kompletohet brenda muajit shkurt.

“Kemi pasur qëllim që edhe nxënësit e tjerë ta kuptojnë dhe ta duan sa më shumë këtë lëndë”, thotë Fjolla.

Projekti synon që të krijojë një numër lojërash e kuizesh që lidhen me lëndën e matematikës si aktivitete jashtëkurrikulare, për të mundësuar forcimin e njohurive të marra në orët mësimore.

Këto aktivitetet më pas pritet të integrohen në platformën ekzistuese për mësim online “shkollat.org”, që menaxhohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Në fillim do të përfshijë vetëm materiale për klasat e 10-ta të shkollave të mesme të Kosovës.

Nxënësit që do të kyçen në këto aktivitete do të grumbullojnë “çelësa” apo pikë për përgjigjet e sakta në kuize. Ndër të tjera, ata mund të rrotullojnë “një rrotë fati” që i sfidon me detyra rastësore nga matematika.

Këto aktivitet nuk do të kenë ndikim në notimin e nxënësve, por sipas tyre, synon t’i ofrojë nxënësve mundësi që t’i përforcojë mësimet teorike nga klasa.

Lënda e matematikës është lëndë obligative për nivelin parauniversitar.

Shqipe Salihu- Mehmetaj, që ligjëron lëndën e matematikës tash e 17 vjet në Lipjan, mendon se pikërisht mënyra e mësimdhënies së lëndës së matematikës kontribuon te frika nga kjo lëndë.

Sipas saj, duhet të krijohen plane të veçanta që mundësojnë trajtimin më intensiv të kësaj lënde dhe t’u jepet hapësirë mësimdhënësve për kreativitet.

“Matematika nëpër shkolla shpjegohet më shumë si matematikë e pastër, që i bie zgjidhje e detyrave e jo ndërlidhje ndoshta me lëndë të tjera, ose ndërlidhje me pjesën e jetës reale”, thotë Salihu- Mehmetaj.

Sipas saj, nëse planet e mësimdhënies do të lejonin hapësirë për më shumë aktivitete relaksuese dhe lojëra në lëndën e matematikës, kjo do të mund të ndihmonte në rritjen e rezultateve në këtë lëndë.

Kjo mësimdhënëse thotë se është e lumtur të bashkëpunojë me vajzat lidhur me materialet që ndihmojnë krijimin e lojërave për matematikë.

Psikologia në gjimnazin e Lipjanit, Valona Zeqiri-Xhemshiti, madje thotë se numrat, materiali voluminoz, por edhe një paragjykim i përgjithshëm për lëndën e matematikës, ka shkaktuar një stres të përgjithshëm te nxënësit në raport me këtë lëndë.

Sipas rezultateve të testit PISA, Kosova pati edhe shifrat më të larta të nxënësve që performuan në nivel të dobët (niveli 2 nga 6 nivele), në lëndën e matematikës.

Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit në organizatën “Ed-Guard”, mendon se rishikimi i kurrikulave në arsimin parauniversitar është kyç që lëndët në STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë) të rikthehen në interesim për nxënësit.

“Aktualisht me ngarkesën në plan-programe, me tekste shkollore që mungojnë në ndërlidhje me kurrikulë, në mungesë të risive në metodologji të mësimdhënies, nuk është e çuditshme që mungojmë në interesim të të rinjve për studime të mëtejmë në STEM”, thotë ai.

MASHTI nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cilat janë planet tjera për stimulimin e mësimit të shkencës te studentët dhe nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit.

Më 11 shkurt shënohet Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë.

Sipas organizatës së Kombeve të Bashkuara (UN WOMEN), ndërsa bota vazhdon të luftojë COVID-19 dhe krizën kritike të klimës, pjesëmarrja dhe udhëheqja e plotë dhe e barabartë e grave dhe vajzave në shkencë dhe teknologji është më e rëndësishme se kurrë.

“Tani është koha për të njohur kontributin e grave në kërkime, inovacion, thyerjen e stereotipave dhe tejkalimin e diskriminimit ndaj grave dhe vajzave në shkencë”, thuhet në deklaratën e UN WOMEN. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!