Protestat kundër kryeministrit Andrej Babis në Çeki kanë hyrë në javën e tretë. Këtë të hënë manifestuesit kanë kundërshtuar emërimin e ministres së re të Drejtësisë, e cila mund të ndikojë në hetimet për përvetësim parash që po zhvillohen ndaj kreut të qeverisë.
Disa mijëra qytetarë kanë protestuar të hënën në Pragë dhe qytete të tjera të Republikës Çeke kundër kryeministrit Andrej Babis dhe emërimit të ministres së re të Drejtësisë, Marie Benesova. Manifestuesit druhen se ministrja e re mund të ndërhyjë në favor të kryeministrit në një hetim që po zhvillohet ndaj tij për përvetësim parash nga fondet e BE-së. Ata kanë shqetësimin se Benesova ka qenë një aleate e Babis, që akuzohet se ka përfituar ilegalisht 2 milion euro një dekadë më parë, kur ishte ende biznesmen. Parardhësi i ministres Benesova dha dorëheqjen pa dhënë shumë sqarime një ditë pasi policia përfundoi hetimin dhe rekomandoi që ndaj Babis të niste procesi gjyqësor. Ndërkohë, prokurorët nuk janë shprehur ende në lidhje me çështjen. Nga ana e tij, Babis i mohon akuzat dhe e cilëson çështjen një komplot politik në dëm të tij. Ndërsa protestat ai i konsideron një teatër në prag të zgjedhjeve euro-parlamentare që mbahen më vonë gjatë muajit. Ndërkohë, ministrja e re e Drejtësisë ka mohuar të ketë në plan një ndryshim radikal në radhët e personelit të drejtësisë, siç është kryeprokurori i Republikës Çeke, një lëvizje e të cilit do të mundësonte alternimin e hetimit dhe është ajo çfarë shqetëson protestuesit. /ABC news Albania 24/7