Aleksander Ceferin ka prekur disa tema në prononcimin e dhënë për Sky. Presidenti i UEFA-s i rikthehet edhe një herë Super League, shfajëson FIFA-n dhe presidentin Infantino, dhe shprehet në favor të Final Four, që u eksperimentua për herë të parë në sezonin e kaluar.
“U zhgënjeva shumë kur mora vesh krijimin e Super League, një komplot i disa klubeve. Por kishte një të mirë, sepse na mundësoi të jepnim sqarime në lidhje me futbollin evropian. Ishte një periudhë stresuese, por gjërat u kthyen në vendin e vet në fund.
Real, Barcelona dhe Juventus nuk janë tërhequr akoma? Për të gjithë familjen e futbollit, qëndrimi i tyre është tronditës dhe i papranueshëm. Kurrë mos thuaj kurrë, por besoj se nuk do flitet më për Super League, të paktën në dhjetë vitet e ardhshme.
FIFA? Infantino më ka thënë që ai dhe asnjë person tjetër i FIFA-s nuk janë takuar me klubet rreth krijimit të këtij turneu. Ai nuk kishte fare dijeni dhe nuk e ka mbështetur projektin e Super League. Unë nuk kam asnjë arsye për të mos e besuar. Asnjë president i FIFA-s nuk mund të mbështesë një projekt të tillë“.
Më pas një koment për formatin e ri të Champions League me 36 skuadra dhe Final Four. “Champions me 36 skuadra është një reformë në favor të klubeve të mëdha dhe të vogla. Do të ketë më shumë ndeshje, kompeticioni do të jetë më interesant.
Sezonin e kaluar organizuam Final Four në Portugali, por dy javë janë shumë. Final Four pas vitit 2024? Ka avantazhe dhe disavantazhe. Nga një aspekt do të ishte fantastike të kesh një javë të dedikuar ndaj futbollit, që mund të plotësohet me evente si koncerte, për shembull.
Por do humbasim shumë ndeshje. Mua më pëlqen si ide, jam pro Final Four. Mund të jetë efektive sa i përket fitimeve të klubeve, gjithmonë nëse organizohet shumë mirë“, përfundoi kreu i futbollit evropian. /abcnews.al