Plani i UEFA, për të përfunduar sezonin 2019/20, është i qartë. Presidenti Aleksander Ceferin beson se situata po shkon drejt normalizimit dhe kampionatet do të rikthehen: “Unë mendoj se shumica e ligave evropiane, të themi 80%, do ta përfundojnë sezonin në afatin e përcaktuar”. Kreu i qeverisë europiane të futbollit, gjatë intervistës për beIN Sports, mirëkupton vendimet e qeverive që mund të ndërpresin përfundimisht sezonin.
LIGUE 1 – “Për mua, vendimi i Francës për të anuluar sezonin ishte i nxituar. Sipas meje, gjërat gjithmonë mund të përmirësohen dhe të jemi të duruar. Por Qeveria e Francës mori një vendim. Çfarë duhet të bëjnë klubet? Të respektojnë vendimin e Qeverisë”.
CHAMPIONS LEAGUE – “Kemi dy skuadra franceze në Champions League dhe ata nuk do të luajnë deri në gusht. Ndeshjet duhet të luhen në fushë neutrale ose në Francë. E respektoj vendimin e Qeverisë së Francës, por asnjë nga ata nuk u konsultua me ne. Nuk e di nëse kështu do të jetë më mirë për klubet franceze apo jo, pasi ekipet që të ruajnë formën, duhet të luajnë rregullisht”.
KALENDARI – “Do të përshtatemi. Jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe duhet të mendojmë edhe për financat. Nuk duhet të fshihemi, e pranojmë, ekonomia është shumë e rëndësishme. Kemi një plan për kalendarin, jemi optimistë se kampionatet dhe kompeticionet europiane do të përfundojnë në verë, për të mos ndikuar në sezonin tjetër”, tha mes të tjerash Ceferin. /abcnews.al