Të kritikosh Antonio Conten në këto momente, pavarësisht nëse të pëlqen apo jo futbolli me të cilin po fiton Interi, është diçka pothuajse e pabesueshme. Zikaltrit po zhvillojnë një fazë të dytë perfekte (11 fitore në po kaq ndeshje) dhe kryesojnë Serie A me 11 pikë mbi Milanin.
Titulli kampion i mungon Interit prej vitit 2010 dhe skuadra është në rrugën e duhur për të thyer dominimin e Juventusit dhe për të rikthyer trofeun e madh në Milanon zikaltër. Një gjë e tillë nuk ka vlerë për Antonio Cassanon, i cili pret futboll të bukur nga skuadra e zemrës.
Në prononcimin e zakonshëm për BoboTV, ish-talenti italian shfaqet i ashpër ndaj trajnerit Antonio Conte. “Nëse unë do të isha futbollist i Interit, do të shkoja te drejtuesit e klubit dhe do u kërkoja atyre shkarkimin e Contes. Ai praktikon një futboll të mërzitshëm“, deklaroi Cassano. /abcnews.al