Cassano: Conte po gabon me Eriksen, titulli detyrim. Ibra? Më i miri i Serie A

schedule10:57 - 17 Tetor, 2020

schedule 10:57 - 17 Tetor, 2020

Antonio Cassano ka luajtur e shënuar në disa derbe gjatë karrierës së tij. Sot zhvillohet Inter-Milan dhe barezi i famshëm flet hapur si gjithmonë, rreth këtij dueli, Antonio Contes, Zlatan Ibrahimovic dhe garës për titull në Serie A.

DERBI – “Kam shënuar në katër derbe: në atë të Madridit, Romës, Milanos dhe Xhenovës. Ai i Milanos ësht një nga sfidat më të rëndësishme të futbollit evropian, pasi dy skuadrat kanë vlera të mëdha. Është vetëm java e katërt dhe nuk do të jetë një sfidë vendimtare.

Nuk vlen pothuajse asgjë, ka shumë kohë për të rikuperuar. Sigurisht që Interi ka më shumë për të humbur. Drejtuesit i dhuruan Contes ata që dëshironte. Erdhën Vidal dhe Hakimi, mos të harrojmë që qëndroi edhe Lautaro Martinez. Ai është i detyruar të rrëzojë Juventusin nga froni”.

MILANI – “Pioli e meritonte të qëndronte, fundi i sezonit të kaluar ishte fantastik dhe për vend të parë. Kuqezinjtë nuk humbasin prej kohësh, por derbi do të jetë një nga testet më të vështira. Nëse fiton, do të thotë që Milani më në fund mund të kthehet aty ku e meriton, të paktën në Champions”.

IBRAHIMOVIC APO LUKAKU – “Çfarë është kjo pyetje pa lidhje, gjithë jetën Ibra. Zlatan është futbollisti më i mirë në Serie A. Ai është vetë Milani, por nuk e di nëse mjafton. Lukaku është i fortë, i aftë dhe i fuqishëm, por i duhet shumë punë për të bërë atë që bën Ibra në moshën 39-vjeçare.

 

Cassano dhe Ibrahimovic

Pas Ronaldo fenomenit dhe Marco Van Basten, vjen Ibrahimovic. Interi është favorit sot, por Ibra mund të përmbysë gjithçka i vetëm, gjithmonë nëse Covidi nuk i ka hequr forcën. Lautaro? Është përmirësuar shumë, më kujton Sergio Agueron”.

ERIKSEN – “Në këtë rast ka faj Conte, edhe pse më vjen keq ta them. Nuk mund ta ulësh në stol një lojtar të tillë, është e pamundur të mos luash me një skemë që i përshtatet karakteristikave të tij. Akoma s’e keni kuptuar se çfarë futbollisti është Eriksen? Nëse Conte ‘djeg’ Eriksen dhe dështon edhe këtë vit, karriera e tij do të binte shumë poshtë”.

TITULLI – “Interin e shoh para Juventusit, më pas vjen një mes Atalantës dhe Napolit. Do të ketë një garë të pabesueshme edhe për vendin e katërt, me Milanin, Lazion dhe Romën”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!