Shqipëria synon të ulë ndjeshëm përdorimin e parave CASH në ekonomi. Nisma Kombëtare pritet të nisë në janar të vitit të ardhshëm.
Deri në vitin 2030, 60% e pagesave synohet të bëhen digjitale, ndërsa të reduktohen në maksimum pagesat CASH, duke nisur nga institucionet shtetërore.
Po ashtu, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm, parashikohet kufizimi i blerjeve deri në 50 mijë lekë me CASH nga qytetarët, si dhe tregtarët do të kenë detyrimin të ofrojnë një mundësi pagese elektronike.
Bora Feri, eksperte e sistemit të pagesave në një intervistë në “Sheshi i Dollarit” në ABC News tha se strategjia është në hartim dhe se parashikohen të jenë 12 hapa si pjesë e kësaj strategjie.
“Strategjia është në hartim e sipër. Parashikohen të jenë 12 hapa si pjesë e kësaj strategjie. Nuk ka ende një strategji të detajuar. Bëhet fjalë për shërbime që ofrohen nga agjenci shtetërore. Në pjesën dërrmuese sot paguhen në cash dhe në këtë prizëm mund ta përgëzojmë për këtë qasje…”, tha ajo.
Gjithashtu ajo tha se nisma synon të rrisë pagesat bankare. Ndërsa shtoi se duhet një rishikim i edukimit financiar.
Kjo do të jetë një iniciativë e përshkallëzuar. Bëhet fjalë për një reduktim të cash. Sot flitet që 90 % e pagesave kryhet në para cash. Ideja është që të kthehet kurba. Nuk bëhet fjalë për eliminim të cash. Edukimi financiar është gjithashtu i rëndësishëm”, u shpreh ajo.

