Pak javë më parë Capital T publikoi këngën “Akull”, në mënyrë zytare duhet thënë pasi projekti qarkullonte prej kohësh si audio në telefonat dhe playlist-at e fansave të tij.
Menjëherë pas publikimit, dëgjuesit vunë re një ngjashmëri të pjesës së refrenit të këngës, me kolonën zanore të një filmi të Bollywood, “Ek Villain”, e sigurisht që kundër reperit u përdorën dhe fjalët “vjedhje të materialit muzikor”.
Ajo që i shtoi më shumë dyshimet se një gjë e tillë kishte ndodhur, është fakti që kënga u bllokua pak ditë pas hedhjes në Youtube, nga kompania që zotëron të drejtën e muzikës së “Ek Villain”, T-Series.
Pra ne u gjetëm përballë mundësisë që Capital T vërtetë mund të kishte shfytëzuar në mënyrë të padrejtë muzikën e dikujt tjetër.
Megjithatë, ditë më vonë, kënga u rikthye sërish dhe tani Capital T ka treguar dhe të vërtetën e të gjithë situatës në lidhje me “Akull”.
“Kemi pasur një problem, realisht, me zërin indian në këngë. Ajo është kolona zanore e një filmi indian, që unë nuk e kam ditur. Unë e kam blerë këngën prej producentit, e nuk e kam ditur që ai e ka përdorur në atë mënyrë, nuk ka marrë leje. Kështu që kompania në fjalë, që kishte të drejtat për atë këngë, një prej më të fortave në Youtube, e bllokoi momentalisht projektin dhe kanë dërguar e-mail, kanë treguar kush janë dhe arsyen pse e kanë bllokuar.”
Kjo ka ndodhur në 25 nëntor, pra vetëm një ditë para se të ndodhte tërmeti i tmerrshëm në Shqipëri, e duke qenë se Capital T, që në orët e para të tragjedisë u gjend pranë të prekurve, nuk ka mundur ta zgjidhë situatën e këngës menjëherë.
Megjithatë në momentin e parë që u kthye në Kosovë, arriti një marrëveshje me ta dhe projekti u ri-publikua./abcnews.al