Mbrëmjen e sotme në Provokacija ka qenë i ftuar shkrimtari dhe dramaturgu Stefan Çapaliku. I pyetur nga gazetari Mustafa Nano në lidhje me situatën aktuale, ku sipas Nanos ky është një moment absurd dhe i çmendur. Çfarë po ndodh me ne, me njeriun e sotëm? Ja si shprehet Çapaliku:
“Duke qenë një situatë shumë e marrë dhe shumë budallaqe është tepër e vështirë për ta shpjeguar. Sepse të shpjegosh çmendurinë njerëzore do të thotë të dalësh jashtë të gjithë skemave, por unë mendoj se njeriu i tranzicionit, njeriu i prodhuar pas përpjekjeve që partia komuniste pati për krijimin e njeriut të ri, u krijua tashmë njeriu i tranzicionit, i cili mbart të gjitha sëmundjet, të gjithë simptomat e njeriut të ri plus simptomat e kësaj periudhe 30 vjeçare. Ky aliazh është i çuditshëm dhe i pashpjegueshëm, është shumë fatkeq.
Mustafa Nano: Nëse unë do bëja një listë tiparesh të shqiptarit sot…, apo është i njëjti shqiptar edhe në histori?
“Nuk është i njëjti shqiptar si në histori. Duke qenë shkrimtar dhe duke u marrë me njeriun në përgjithësi, mendoj se ka disa tipare njeriu i tranzicionit. Jam përpjekur të ndërtoj një anekdotë të shqiptarit të sotëm. Jam frymëzuar shumë nga një fjalë që thonë:
“kur fola gabova, kur s’fola s’gabova!”
4 apo 5 kualitetet që ka njeriu i tranzicionit sipas mendimit tim:
1-Mos mendo
2-Nëse mendon mos fol
3-Nëse mendon dhe flet, mos shkruaj
4-Nëse mendon, flet dhe shkruan mos firmos
5-Nëse flet, shkruan dhe firmos atëherë asnjë nuk e di cfarë mund të ndodhë me ty.
Unë nuk i kam respektuar urdhëresat sepse kuptoj përditë e më tepër se të shkruarit, në të vërtetë është më shumë një farë misioni, një thirrje se sa një zanat, edhe vetë nuk e di pse merresh me këtë punë. Një shoqëri totalisht materialiste, pra të ulesh të shkruash një libër pa patur një kontratë paraprake me askënd. Askush nuk është thirrur për të shkruar atë libër. Imagjinoni një shoqëri pa shkrimtar dhe pa artist çfarë tmerri do të ishte?“./abcnews.al