Bylisi triumfoi kundër Apolonisë dhe pas ndeshjes trajnerët Fabrizio Cammarata dhe Veljko Dovedan folën në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Italiani mendon se barazimi ishte rezultati më i drejtë dhe shpreson që në vijim Apolonia e tij të mos mjaftohet vetëm me lojërat e mira.
FABRIZIO CAMMARATA – Italiani, pas ndeshjes me Bylisin u shpreh: “Është një humbje e rëndë, pasi peshon shumë. Skuadrat bënë lojën e tyre. Bëmë një gabim në mbrojtje dhe e pësuam. Mëkat, pasi rezultati më i drejtë ishte barazimi”.
“Agresiviteti i Bylisit? Në 15 minutat e pjesës së dytë ishim ne më agresivë. Kishim një rast shënimi me Mihanin. Këto ndeshje vendosen nga episodet. Shkoi më mirë për Bylisin sot”, shtoi trajneri Cammarata.
“Duhet të kërkojmë të luajmë mirë dhe të marrim pikë. Në katër ndeshjet e fundit kemi humbur 1-0. Është momenti të shënojmë dhe të marrim pikët. Kjo na ndëshkon. Golat e pësuar në pjesën e dytë? Nuk është çështje fizike, pasi skuadra është mirë në këtë aspekt. Ne deri në fund tentuam të shënojmë dhe po vraponim. Diferencën e bënë episodet”.
VELJKO DOVEDAN – Trajneri i Bylisit, pas fitores me fierakët deklaroi: “Uroj lojtarët, ekipin dhe stafin sepse Apolonia është ekip shumë i mirë dhe nuk mund të fitosh thjeshtë ndaj tyre. Nuk është se me këtë fitore ne do bëhemi ekip i madh, por Bylisi ka stilin e vet të lojës dhe po e shfaqëm atë, ne nuk na mund lehtë asnjë ekip.
Kjo fitore na bën shumë mirë në anën psikologjike dhe do të kemi tjetër vazhdimësi pas kësaj. Nëse fitojmë ndeshjen me Skënderbeun na ndihmon të ngjitemi në renditje dhe na jep moral, nëse nuk fitojmë me Skënderbeun, kjo fitore nuk ka vlerë”, u shpreh Dovedan. /abcnews.al