Pas 16 vitesh mungesë në gjysmë-finalet e një kompeticioni evropian, “kuqezinjtë” e Milan arritën të kualifikoheshin këtë vit në gjysmë-finalet e UEFA Champions League, ku përballë do të kenë anën tjetër të Milanos, “zikaltërit” e Inter. Mirëpo, me ndeshjen 2 javë e gjysëm larg, djemtë e Stefano Piolit tashmë e kanë kthyer fokusin e tyre nga Serie A, aty ku ditën e nesërme do të përballen me skuadrën e Lecce.
Në kuadër të përballjes së nesërme, për mediat foli anësori i djathtë i mbrojtjes së Milan, njëkohësisht dhe kapiteni i tyre, Davide Calabria, i cili tha se në këtë pikë të sezoni çdo ndeshje është e rëndësishme dhe përballë Lecce-s nuk pritet asgjë më pak se fitorja.
“Ne kemi arritur një pikë në sezon ku duhet të kuptojmë se të gjitha ndeshjet janë vërtet të rëndësishme për ekipin dhe për zhvillimin e këtij klubi, sepse ka shumë pak ndeshje që nuk duhet të bëjmë më gabime. Duhet të kthehemi menjëherë në ligë. Festuam fitoren sepse e merituam dhe e donim, por tani duhet të rifokusohemi në ndeshjet e radhës”,- u shpreh Calabria për mediat në kuadër të ndeshjes së nesërme. /i.m /abcnews.al