Ç’akordimi i Trump! Kritikon May-n në intervistë, e vlerëson në konferencë

schedule18:05 - 13 Korrik, 2018

schedule 18:05 - 13 Korrik, 2018

Donald Trump është shfaqur me dy fytyra gjatë vizitës në Britani. Në një intervistë ai ka kritikuar kryeministren Theresa May, ndërsa në konferencën e përbashkët për shtyp e ka vlerësuar maksimalisht atë. Ndërkohë, në Londër është ngritur në qiell balona “Baby Trump”, në shenjë proteste ndaj pranisë së tij.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe janë në nivelin më të lartë historik. Me këto fjalë është shfaqur presidenti Donald Trump, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministren Theresa May, pak orë pasi në një intervistë kishte kritikuar planin e saj për daljen nga BE-ja. Por kur është gjendur përkrah saj, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka folur ndryshe. “Brexit përbën një mundësi të jashtëzakonshme për Britaninë dhe çfarëdo që ajo të bëjë pasi të ketë lënë BE-në ne do të jemi dakord”, ka thënë Trump. Ai ka vlerësuar më tej se, marrëdhëniet mes dy vendeve janë të domosdoshme për kauzën e lirisë, drejtësisë dhe paqes. Sa i takon intervistës së dhënë për “The Sun”, presidenti amerikan ka theksuar se në tërësi ajo ishte një intervistë pozitive, por gazeta nuk i pasqyroi komentet pozitive të tij për zonjën May “dhe rrjedhimisht u kthye në një fake neës”. “Kjo grua e jashtëzakonshme që ndodhet pranë meje po bën një punë fantastike”, ka vijuar më tej Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara mezi presin të finalizojnë një marrëveshje tregtare dypalëshe të përmasave të mëdha me Britaninë. Ai ka shtuar se nuk i ka dhënë asnjë këshillë kryeministres May për BE-në, por vetëm një sugjerim, të cilin sipas tij ajo e ka cilësuar “shumë brutal”. Nga ana e saj May ka pohuar se Shtetet e Bashkuara janë të prirura për të bashkëpunuar me Britaninë dhe ka konfirmuar nënshkrimin së shpejti të marrëveshjes tregtare. Ajo ka shtuar se plani i qeverisë së saj për Brexit bazohet në rezultatin e referendumit të dy viteve më parë. Ndërkohë, në qendër të Londrës mijëra qytetarë janë mbledhur për të protestuar kundër vizitës së presidentit amerikan. Sikurse ishte paralajmëruar, balona e madhe që e portretizon atë si një fëmijë të sapolindur është ngritur në qiell nga sheshi i Parlamentit. Manifestuesit kanë vërshëllyer dhe kanë bërtitur parulla kundër Trump, si dhe kanë mbajtur në duar ibrikë dhe filxhanë, që janë kthyer në simbolin e protestës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!