“Të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane, mungesa e të cilës mund të çojë, me gjithë përpjekjet tona për t’i zbutur, në thellim të sfidave të tyre“– tha Ministri në Detyrë.
Cakaj vlerësoi se Procesi i Berlinit ka rritur në mënyrë të ndjeshme ndërlidhjen mes vendeve të rajonit, por theksoi se ende fatkeqësisht vihet re se është shumë e vështirë të ofrohen arritje konkrete në një ambient, i cili karakterizohet nga mosmarrëveshje të vazhdueshme me retorikë politike.
Ai cilësoi paradoksale që nga njëra anë nismat rajonale si Organizata Rajonale e Bashkëpunimit Rinor, apo Fondi i Ballkanit Perëndimor përpiqen të ofrojnë projekte që adresojnë pajtimin mes kombeve, për ta kthyer rajonin në një hapësire sa më vibrante të bashkëpunimit rajonal dhe, nga ana tjetër kemi një rajon i cili po shndërrohet gjithnjë e më shumë në konservativ dhe nacionalist, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike mes shteteve.
Për këtë arsye, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme theksoi se është shumë e rëndësishme që vendet tona të jenë më të vendosura për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe dhe kjo do të mund të arrihet vetëm nëse ka sinqeritet dhe përgjegjësi në adresimin e reminishencave të së kaluarës.
Ai shprehu besimin se Procesi i Berlinit i ka ofruar një dinamikë tjetër rajonit tonë, por kjo dinamikë ka nevojë të inkurajohet. Rinia e vendeve tona ka nevojë të shikojë një perspektivë evropiane të prekshme nga Bashkimi Evropian.
Ajo që duhet të kuptohet vijoi ai, është se Rajoni ynë nuk po kërkon të hyjë nesër në BE, por procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm dhe inkurajues për ndërmarrjen e reformave të nevojshme si shteti i së drejtës, reforma në arsim, zhvillimi ekonomik etj. Në këtë kontekst, liberalizimi i vizave me Kosovën apo hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë instrumentale për rritjen dhe thellimin e reformave.
Ministeriali i Varshavës shërben si takim përgatitor për Samitin e Poznan-it kushtuar Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në korrik 2019, në Poznan të Polonisë.