Janë më shumë se 40 kompani që kanë shaqur interes për ndërtimin e dy bypassëve , të Vlorës dhe të Fierit. Ministria e infrastrukturës dhe energjisë informon se faza e parakualifikimit do të përmbyllet në 30 Nëntor. Mbi 40 kompani janë ofruar për ndërtimin e Bypassit të Vlorës dhe Fierit. Sipas informacionit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë afati përfundimtar i paraqitjes së ofertave nga firmat që paraqitën interes për të tërhequr dokumentet skadoi më 25 Tetor 2017. Nga të dhënat paraprake, rezulton se tërhoqën dokumentat 84 kompani ndërsa dorëzuan ofertat brenda afatit ligjor të përcaktuar mbi 40 kompani. Brenda datës 30 Nëntor 2017, Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të bëjë përmbylljen e fazës së parakualifikimit. Me marrjen e konfirmimit për këtë procedurë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të bëhet shpallja e kompanive të cilat vazhdojnë fazën e dytë të tenderit Bypass-i i Vlorës lidh autostradën Levan – Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë. Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Pavarësisht parashikimeve në kontratën fillestare, ndërtimi nuk shkoi siç duhet për shkak të problemeve me kontraktorët çka detyroi ARRSH të ndërpriste kontratën në mënyrë të njëanshme. Pas 24 muajsh jetëgjatësi të projektit u arrit të mbyllej vetëm 12% e veprës. Ndërsa Bypass-i i Fierit i referohet ndërtimit të një Bypass-i rrugor të tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit (Bypass-i i Fierit) me gjatësi afërsisht 22 km. Në këtë seksion është parashikuar ndërtimi i 3 urave me gjatësi nga 80 m secila në Lumin Seman, në kanalin e Hoxhares dhe atë të Pojanit. Janë parashikuar gjithashtu 4 kryqëzime në disnivel si dhe 2 gjysëm kryqëzime. Projekti u nis nga një kontraktor i cili nuk arriti të mbante ritmin e duhur të punimeve çka solli prishjen e njëanshme të kontratës nga ARRSH. Aktualisht, punimet për këtë vepër kanë mbetur në nivelin e 55%.
Bypassi i Fierit dhe Vlorës Nis gara për 40 kompanitë që shfaqin interes
schedule16:36 - 28 Tetor, 2017
schedule 16:36 - 28 Tetor, 2017