Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në fjalën e tij në kuvend ka akuzuar mazhorancën për kushtëzim të anëtarëve të opozitës në komisionet parlamentare.
Bylykbashi është shprehur se një vendim i tillë është antikushtetues dhe që nuk lejon që opozitës ti dëgjohet zëri.
Ndër të tjera ai ka adresuar të gjithë problemet e qytetarëve në Durrës, që prej nëntorit të 2019 vijojnë që të jenë pa banesa, ndërkohë që qeveria pas zgjedhjeve sipas tij i ka lënë jashtë vëmendjes.
“Vendimi i mazhorancës për të kufizuar kohën e fjalës së deputetëve në grupet parlamentare është antikushtetues. Përpara se të jem anëtar i një grupi, jam deputet i Republikës e përfaqësoj popullim. Kufizimi i fjalës është në themel kufizim i mandatit tim për të përfaqësuar qytetarët.
Në legjislaturat e mëparshme më kërkohej të flisja edhe dy herë në seancë, ndërsa sot po flas sepse mu miratua e drejta e fjalës nga grupi im. Kjo sepse mazhoranca pasi pengon hetimin për mbylljen e një TV që na kushtoi 120 milionë euro, sot na ka kufizuar të drejtën e fjalës në emër të zgjedhësve. Opozita duhej të ankonte këtë vendim antikushtetues të parin në Gjykatë Kushtetuese. Vetëm disa deklarata nuk mjaftojnë!
Durrsakët po hyjnë në dimrin e tretë pas tërmetit. Deri në ditën e zgjedhjeve qeveria derdhi lumë paratë e dëmshpërblimeve dhe bonusin e qerasë. Por për tre muaj nga gushti, mijëra qytetarë nuk i morën bonuset dhe vetëm pas denoncimeve nga opozita dhe media sapo ka filluar shpërndarja dhe vetëm një muaj i prapambetur është paguar vetëm për një pjesë. Qytetarët janë në hall sepse qeradhënësit duan paratë që u takojnë.
Nga 615 pallate me dëmtime DS1 – DS3, vetëm rreth 400 janë rikonstruktuar. 1/3 ende nuk është rikonstruktuar. Por askush nuk di nëse punimet e kryera nga vetë banorët janë sipas standarteve të sigurisë.
Nga rreth 120 pallate me dëmtime të rënda në gradën DS4, vetëm 10 pallate janë duke u përforcuar. Pra as 10% e tyre.
Nga 22 pallate të shembur, vetëm 3 janë në rindërtim, dhe asnjë nuk është dorëzuar.
Po hyjmë në dimrin e tretë post-tërmet. Ama shpenzimet për monstrën prej betoni e çeliku që e quani Veliera nuk ndalen. Ne vitin 2020, menjëherë pas tërmetit, Velierës iu dedikuan 850 milionë lekë. Në vitin 2021 ajo shëmti gëlltiti 2.5 miliardë lekë. Pra nga tërmeti e deri më sot, janë harxhuar 3.35 miliardë lekë për diçka që nuk I duhet askujt,pa llogaritur paratë e harxhuara që nga fillimi. Ama një pjesë e madhe e durrsakëve të goditur nga tërmeti nuk marrin bonuset e qerasë, nuk u rikontruktohen, apo rindërtohen banesat.”, është shprehur Bylykbashi. /abcnews.al