Zgjedhja e Presidentit ka “Përçarë” edhe më tej opozitën dhe nuk i ka ulur tensionet në selinë blu. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD do të zhvillojë nesër një takim me kreun e Grupit të PS, Taulant Balla lidhur me konsultimet për emrin e Presidentit.
Deputeti demokrat, anëtar i Komisionit të Rithemelimit, Oerd Bylykbashi i ftuar në “Radarin Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi u shpreh se procesi për zgjedhjen e Presidentit nuk duhet të krijojë krizë mes partive.
Bylykbashi: Procesi për Presidentin duhet të jetë një proces që nuk krijon krizë.
Nëse Grupi Parlamentar nesër bie dakord me Alibeajn, çfarë ndodh me Komisionin e Rithemelimit? Bylykbashi u shpreh se ky proces nuk duhet në asnjë moment t’i japë mundësi Ramës të përcaktojë se kush është opozita dhe aq më tepër ta përçajë.
Bylykbashi: Jemi përballë një Presidenti që ka fuqi të reduktuara, kështu ishte dhe Meta. Përdori në maksimumin e tij kompetencat që kishte. Ky proces mund të përdoret shumë mirë për të stabilizuar gjërat. Nuk duhet në asnjë rast të kthehet në një proces ku Rama vendos të përcaktojë kush është opozita, të krijojnë përçarje. Ai grup i vogël që mendon të përfaqësojë PD pa mandat i bën dëm procesit për zgjedhjen e Presidentit. Legjislacioni përcakton fillimin e Presidentin pra 24 maji është fillimi, nuk është fundi.
Fatmir Mediu pas takimit të sotëm me Taulant Ballën ka kërkuar gjithë përfshirje. Balla tha se kanë emra të mirë që do t’i pëlqejë dhe opozitës.
Bylykbashi: Balla përpiqet t’i bëjë votat Ramës, ka dalë në peshkim. Presidenti nuk mund të jetë mocion mosbesimi. Ky proces kaq i zvogëluar a është ky ishulli që do na krijojë konsensusin? Ku e shihni konsensusin? Në këtë ambient ë tillë, mendoni që ky ishull shumë i vogël do të gjenerojë konsensusin e politikës shqiptare? Konsensusi vjen nga ai që ka interes për këtë gjë. Ajo që ne mendojmë është se shteti i së drejtës duhet të funksionojë./abcnews.al/