“Edi Rama ka shkatërruar shpresat e mëdha të shqiptarëve”, kështu ka deklaruar mbrëmjen e sotme ish-deputeti i partisë demokratike Oerd Bylykbashi.
Bylykbashi ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme, në Mbrëmje ABC me gazetaren Mirela Milori, ku tha se opozita është e vendosur në objektivin e saj për largimin e Edi Ramës pasi, sipas Bylykbashit, është arsyeja që negociatat do të shtyhen se vendi është i zhytur në korrupsion. Gjithashtu Bylykbashi theksoi se kriza politike në vend, do të vazhdojë të thellohet, për sa kohë qëndron Edi Rama në krye të shtetit, gjë e cila do të reflektohet në ekonomi dhe shoqëri.
Pjesë nga biseda në studio:
Mirela Milori: Sa ndikon euroskepticizmi në vendimmarrje për negociatat?
Oerd Bylykbashi: Sigurisht që secili vend bën lojën e tij, Holanda e ka me Shqipërinë, e cila thotë se, duhet shtet i së drejtës, dhe shtet i së drejtës do të thotë institucione të drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit, dhe lufta kundër krimit të organizuar, janë këto dy kolona që Holanda nënvizon për Shqipërinë. Gjykatë apo institucione të drejtësisë aktualisht nuk ka.
Mirela Milori: Opozita a ka përgjegjësi për këtë situatë?
Oerd Bylykbashi: Duhet të bëjmë më shumë për të larguar Edi Ramën. Detyra jonë është që të denoncojmë situatën ku janë shqiptarët. Shteti është i shpartalluar i tëri, dhe kërkojnë që të marrë përgjegjësi opozita?! Prokurorja e përgjithshme e përkohshme, u vendos për dy muaj, ka kaluar dy vjet në detyrë, dhe nuk ka proceduar askënd. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk bëhen dot gjykatë.
Mirela Milori: “Panorama” sipas jush, është se negociatat po na shtyhen se Edi Rama nuk ka punuar si duhet, si e shihni perspektivën në këtë vend?
Oerd Bylykbashi: Kriza vazhdon të thellohet. Kriza politike ka të bëjë dhe me ndërveprimin e opinionit publik, dhe kjo do të reflektojë në ekonomi dhe në shoqëri siç mund të jetë largimi i shqiptarëve nga vendi. Reforma zgjedhore është një instrument që mund të zgjidhë diçka në këtë histori. Kjo krizë zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme. Detyra e opozitës është që të bëj çdo gjë për të larguar Edi Ramën. Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje për krizën e thellë në vend./abcnews.al