Bylykbashi dhe Vasili, letër Gjiknurit: Takohemi të hënën dhe e përmbyllim Reformën Zgjedhore

schedule10:30 - 23 Maj, 2020

schedule 10:30 - 23 Maj, 2020

Përfaqësuesit e opozitës në Grupin Politik për Reformën Zgjedhore propozojnë të hënën si ditën e mbledhjes së ketij grupi me synimin e përmbylljes sa më shpejt të reformës. Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike dhe Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim u kanë dërguar një letër përfaqësuesve parlamentarë në ketë grup Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, si dhe kanë vënë në dijeni për këtë qendrim partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në proces, BE, SHBA, OSBE dhe KiE.

“Reforma aktuale ka filluar me kërkesë të Opozitës në 2017 dhe falë veprimeve të njëanshme për minimin e saj nga shumica qeverisëse, ka qene e pamundur përmbyllja e saj. “- thuhet në letrën e opozitës, ku përmendet se për shkak të shkeljes së standardeve nga ana e mazhorancës për 3 procese zgjedhore me radhë, reforma zgjedhore është rikthyer si një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me BE.

Duke vënë në dukje përgjegjësinë edhe përpjekjet e qeverisë për të dështuar procesin, përfaqësuesit e opozitës theksojnë në letër vullnetin e saj për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Rifillimi i procesit më 11 maj është goditur vazhdimisht nga deklarata dhe veprime që kanë shkaktuar krizë politike e që, qartazi, kanë patur si qëllim shkatërrimin e këtij procesi jetik politik. Por, pavarësisht këtyre veprimeve të qëllimshme, Opozita e Bashkuar nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj për të përmbushur pa vonesë obligimin e saj para shqiptarëve për zgjedhje demokratike.”- shkruajnë Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Nga letra opozitës bie në sy se pavarësisht shumë takimeve mes palëve dhe shumë propozimeve, konsensusi është ende larg.

“Deklarimet tuaja se është gjetur kompromisi për një sërë çështjesh janë të pavërteta dhe synojnë vetëm fshehjen e të vërtetës që deri më sot nuk ka kompromis për çështjet themelore, për të cilat Opozita e Bashkuar ka paraqitur propozime konkrete.” – thuhet në letrën e përfaësuesve të opozitës, duke kërkuar takimin e grupit politik të hënën më 25 maj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!