Bylykbashi: Balla i painformuar, problemet e  zgjedhjeve i ka në dorë qeveria

schedule19:46 - 23 Janar, 2019

schedule 19:46 - 23 Janar, 2019

Oerd Bylykbashi e konsideron të painformuar numrin dy të socialistëve Taulant Balla, që i bëri thirrje opozitës ta votojë draftin e PS të Kodit Zgjedhor. Në një postim në “Facebook”, bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, rendit 5 probleme, të cilat sipas tij burojnë nga qeveria, e zgjidhen vetëm me vullnet politik, pa ndërhyrje në Kodin zgjedhor.

Bylykbashi thotë se amendamentet e PS nuk parashikojnë masa kundër shit-blerjes së votës e presionit mbi administratën, apo përdorimin e burimeve shtetërore në favor të kandidatëve të qeverisë.  Deputeti demokrat shkruan se Rama e ka zvarritur qëllimisht projektin për votimin elektronik, ndërsa eksperti i socialistëve, sipas tij, thotë vetë se drafti i tyre është i papërfunduar. Bylykbashi shpreh skepticizmin se nuk ka asnjë garanci, për ata që socialistët i quajnë ekspertë të pavarur të administratës zgjedhore.

Sipas Bylykbashit problemet reale të zgjedhjeve sot, janë probleme të qeverisjes së përditshme e nuk kërkojnë ndërhyrje në Kodin Zgjedhor. Nga ana tjetër deputeti demokrat thotë se listat e zgjedhësve janë të manipuluara e me probleme, ndërsa në 6 vjet qeveria nuk ka bërë qëllimisht sistemin e adresave, cka le hapësira abuzimi nga kryebashkiakë të caktuar, të importojnë zgjedhës sipas nevojës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!