Bylisi-Vllaznia nuk prodhon fitues, “tërbohet” Kapllanaj

schedule15:18 - 16 Janar, 2020

schedule 15:18 - 16 Janar, 2020

Paqe në fushë mes Vllaznisë dhe Bylisit. Një ndeshje që u mbyll me rezultatin e barabartë 0-0, por që tërboi presidentin e ballshiotëve, Besnik Kapllanaj. Fragmenti i parë i lojës u mbyll pas 35 minutash lojë dhe kreu i klubit nuk e priti mirë diçka të tillë.

Shkodranët, duke qenë se kishin udhëtuar nga Ohri në Cërrik para ndeshjes, kishin kërkuar që të bëheshin dy pjesë nga 35 minuta. Ballshiotët kishin pranuar, por Kapllanaj nuk ishte në dijeni dhe ka kërkuar që e dyta të luhej e plotë. Ashtu ka ndodhur.

Për t’u përmendur në pjesën e parë është një penallti që u akordua nga arbitri kryesor i ndeshjes, por ndërhyri anësori dhe më pas u dha faull në favor të portierit Alen Sherri. Në pjesën e dytë shpëtimtar i Vllaznisë ishte portieri Tedi Laço.

Ai ndali shkodranin Eridon Qardaku, i cili pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi e çoi topin pranë trekëndëshit. Portieri i Vllaznisë grushtoi në momentin e fundit dhe e mbajti rrjetën të paprekur. Një ndeshje që pati pak raste, kjo edhe për shkak se skuadrat janë ende të ngarkuara. /abcnews.al

MIQËSORE, E ENJTE MË 16 JANAR
BYLISI-VLLAZNIA 0-0

Bylisi: Hidi, Ntephe, Janku, Goxha, Peposhi, Mëllugja, Hadroj, Bajramaj,  Murataj, Ndreca, Guindo. Trajner: Veljko Dovedan
Vllaznia: Sherri, Gurishta,  Shehu, Malota, Marku, Ramadani, Adili, Lika, Bardulla, Shtubina, Hristov. Trajner: Mirsad Jonuz