Gjykata thërret Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha të dëshmojë në procesin për dosjen Gërdeci. Në seancën e sotme, bashkë me Shkëlzen Berishën, trupi gjykues vendosi të thërrasë si dëshmitar edhe ish ministrin Aldo Bumci.
Seanca e ditës së sotme u shty për shkak të mungesës në proces të ish ministrit Mediu. Gazetari Ermal Vija tha për ABC Neës, se shkak për mungesën e tij në gjyq, ishte seanca plenare në Kuvend, ku u miratuar buxheti 2024.
Mësohet se Fatmir Mediu iu drejtua përmes një shkresë gjykatës së posacme, ku e informonte mbi seancën e sotme plenare e ku duhej të ishte i pranishëm. Seanca e radhës u caktua nga trupi gjykues më 14 dhjetor ora 09:00, krahas Shkëlzën Berishës e Aldo Bumcit, gjykata ka kërkuar edhe 5 dëshmitarë të tjerë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi më 8 shkurt 2023 dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Fatmir Mediut, i pandehur për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.
Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin e Mediut.