Buxheti 2024, Veliaj: 10 herë më i madh se më parë, sot qyteti është më i sigurt, është rritur vlera e pronës dhe turistët

schedule17:39 - 23 Nëntor, 2023

schedule 17:39 - 23 Nëntor, 2023

Në vijim të prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2024 me qytetarë dhe grupe interesi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se sot buxheti për kryeqytetin është 10 herë më i madh se sa në vitin 2015. Ai nënvizoi se Tirana është një qytet më i zhvilluar, më i sigurt, e për rrjedhojë numri I turistëve që e vizitojnë çdo vit është shtuar ndjeshëm.

“Kemi ardhur në një situatë ku turizmi është një nga burimet kryesore të të ardhurave. Në vitin 2015 turizmi nuk sillte as 1% të të ardhurave të Tiranës. Njësoj edhe me teknologjinë e informacionit. Sot diskutojmë që, tek Piramida, 4000 çuna e goca kalojnë çdo muaj për të mësuar zanatet e së ardhmes. Zanatet e së ardhmes nuk do jenë më fasoneria, këpucë edhe këmisha. Punët e së ardhmes janë të gjitha digjitale. Po ashtu, jetojmë në një Tiranë ku është rritur vlera e pronës. Ajo rritet kur një qytet ka më shumë rregull, pastërti, aktivitete, por edhe shumë të huaj. A e dini se rreth 1100 apartamente në Tiranë janë blerë nga ukrainasit, që erdhën për të kaluar ditët e vështira të Luftës këtu? Unë besoj se vlera e pronës është diçka që e kanë prekur të gjithë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se fokusi i këtij buxheti do jetë te njerëzit dhe krijimi i lehtësirave për ta. “E kemi për detyrë të tregojmë se si do t’i shpenzojmë paratë, ashtu si një kryefamiljar ka detyrim te familja e tij të tregojë si shpenzohet rroga dhe ku do të shkojnë shpenzimet e familjes. Ne i qëndrojmë besnikë parimeve që kemi ndjekur çdo vit, në këto 8 vite, dhe do të vazhdojmë diskutimet e buxhetit me të njëjtin zell, me të njëjtën transparencë dhe Sigurisht, me të njëjtën dëshirë për t’u vetëkorrigjuar dhe për të bërë disa punë më mirë”, u shpreh Veliaj.

Mandej, ai tha se ndihet mirë kur kushdo që vjen në Tiranë thotë vetëm fjalë të mira dhe shprehen se tashmë kryeqyteti shqiptar merret si shembull jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!