Buxheti 2024/ Ekspertja: Rritja e pagave do ketë efekt pozitiv, fokusi duhet të ishte edhe te bujqësia dhe arsimi

schedule14:29 - 7 Dhjetor, 2023

schedule 14:29 - 7 Dhjetor, 2023

Buxheti i vitit 2024 u miratua me 74 vota pro nga mazhoranca në seancën plenare të së enjtes mes kaos dhe tymit të shashkave të vendosur nga deputetët e Foltores. Buxheti i vitit që vjen arrin rreth 736 miliardë lekë  dhe parashikon një plan në mbledhjen e të ardhurave në 6.5 miliardë euro.

Vazhdimi i reformës së pagave është vendosur si një nga prioritetet kryesore të buxhetit, ku parashikohet që paga mesatare në administratë të arrijë në 900 euro. Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj thekson se rritja e pagave mund të ketë një efekt pozitiv, që ka të bëjë me rritjen e konsumit.

“Rritja e pagave ka një pozitivitet sepse mund të sjellë rritje të konsumit, që u prek ndjeshëm si pasojë e krizave por që u mbrojt nga rritja e numrit të lartë të turistëve. Por nga ana tjetër, nëse kjo pagë nuk do të menaxhohet në kohë atëherë mund të ndikojë edhe tek inflacioni por gjykoj se do të jetë më shumë pjesë e rritjes ose mbështetjes së konsumit.”, u shpreh Nunaj.

Për emisionin “Money Report”, ajo foli edhe për sfidat e këtij buxheti. Ajo tha se një objektiv është ulja e borxhit publik, gjë që do ta bënte ekonominë e vendit më të qëndrueshme. Nunaj shtoi se në buxhetin e 2024-ës, fokusi do të duhej të ishte edhe tek bujqësia dhe arsimi.

“Një nga objektivat që ka vendosur qeveria është ulja e borxhit publik nga 61,5 në nën 60 dhe kjo do të përmirësonte klimën e biznesit sepse do ta bënte ekonominë më të qëndrueshme dhe nëse Shqipëria do të dalë në një treg ndërkombëtar, ka më shumë qëndrueshmëri dhe normat interesit do të jenë më të ulëta për shkak të borxhit më të ulët. Element tjetër janë investimet në infrastrukturë por ajo që buxheti duhet të ketë në konsideratë duhet të jenë dy fusha të tjera. E para bujqësia. Duke marrë parasysh pezullimin e fondeve IPARD, qeveria duhet të ndërhynte me mbështetjen për fermerët. Themeli i këtij buxheti duhet të ishte arsimi, mbështetja për arsimin dhe jo vetëm nëpërmjet pagave.”, shtoi Nunaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!