Bushi thërret Kacurrin/ “Ylli” i ri “kuqezi” do të jetë pjesë e Shqipërisë U21, mbrojtësi ftohet për eliminatoret e Evropianit

schedule16:36 - 3 Tetor, 2024

schedule 16:36 - 3 Tetor, 2024

E dinte se do të vinte dita e tij.

Maldin Kacurri padyshim që kishte besim absolut se do ta thërrisnin në ekipet Kombëtare, sidomos pasi bëri debutimin në futbollin anglez, me mbrojtësin 18-vjeçar që do të grumbullohet në skuadrën “Shpresa” për ndeshjen eliminatore të Kampionatit Evropian kundër Armenisë.

Kjo, vetëm pak ditë pasi ai u aktivizua për disa minuta në radhët e “Topçinjve” të Arsenal, në EFL Cup, kundër Bolton në “Emirates Stadium”.

Pjesë e akademisë së Arsenal prej dy vitesh, Kacurri ka bërë përparim të madh, dhe tashmë duket gati për futbollin e të rriturve, madje në nivelin më të lartë, teksa mbrojtësi ishte në stol edhe në sfidën e Premier League, që Arsenal e fitoi 4-2 ndaj Leicester, po edhe në Champions, sërish në stadiumin “Emirates”, në suksesin 2-0 ndaj francezëve të PSG.

Kacurri kishte një vit që nuk thirrej në ekipet kombëtare të moshave, që kur trajneri i Shqipërisë U19, Ervin Bulku, e mori në miqësoret ndaj Italisë, Turqisë dhe Kosovës.

Tashmë, ai do të jetë pjesë e Shqipërisë U21, që do të luajë në 15 tetor në “Arenën Air Albania”, ndeshjen e radhës në grupin eliminator të Evropianit kundër Armenisë, një rritje mjaft e madhe, por plotësisht e merituar për një lojtar që është vetëm 18 vjeç. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!