Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, po merr pjesë në takimin e “Miqve të Shqipërisë” në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, një iniciativë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.
Në takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Suedisë, Rumanisë, Polonisë, Bullgarisë, Maltës, Qipros si dhe vende të tjera anëtare të BE-së, po ashtu edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Ministri Bushati falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe u shpreh se ky takim është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi progresin e bërë. Ministri Bushati nënvizoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria përmes reformave të guximshme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe plotësimin e pesë prioriteteve në kuadrin e perspektivës së anëtarësimit në BE.
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe shtoi se hapja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është vendim i drejtë dhe në interes të dyanshëm. Në takim u diskutua mbi koordinimin e hapave të mëtejshme të fillimit të bisedimeve të anëtarësimit./abcnews.al