Bushati: Shpreh keqardhje që vendi është pa opozitë

schedule16:04 - 1 Tetor, 2018

schedule 16:04 - 1 Tetor, 2018

Ministri për Evropën dhe punët e jashmte Ditmir Bushati u përgjigjet akuzave të PD për lidhjet me krimin duke shprehur keqardhjen që vendi është pa opozitë. Kjo klimë sipas tij, ndikon negativisht edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë.

Opozita e akuzon për lidhje me krimin në Shkodër, ministri Ditmir Bushati i përgjigjet nga qyeti i lindjes.

Ditmir Bushati, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme: “Kam përshtypjen se nga gënjeshtarët patologjikë është shumë e vështirë për të pritur të vërtetën. Më vjen keq që vendi ka këtë opozitë, e cila ka frikë nga e vërteta dhe instuticionet, ka frikë nga Komisioni i Venecias, ndoshta është e vetmja opozitë në Europë dhe në botë që ka frikë nga ky komsion. Nga ana tjetër mendoj se duhet të tregohemi të gjithë të duruar me opozitën që ka humbur besimi tek vota dhe ka humbur besimin tek koncepti alternativ ndaj qeverisë.”

Klima politike në vend nuk favorizon procesin e integrimit të Shqipërisë në këndvështimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Situata politike e bazuar mbi trillime dhe shpifje, duke përfshirë edhe Shkodrën, nuk është një atmosferë që mund të krijojë terrenin e përshtatshëm për të ecur më shpejt në procesin e integrimit europian.”

Arsyeja pse ndodhej në shkodër ministri Ditmir Bushati ishte përurimi i shtëpisë së të moshuarëve. Së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Ogerta Manastirliu, premtuan se do të rijetësohet rrjeti i institucioneve të përkujdesit për të moshuarit në të gjithë Shqipërinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!