Bushati opozitës: Shpresoj t’i rikthehen rrugës së arsyes

schedule14:12 - 7 Prill, 2018

schedule 14:12 - 7 Prill, 2018

Pavarësisht vazhdimit të protestave të paralajmëruara të opozitës, qeveria pret që me 17 Prill, Komisioni Europian të propozojë çeljen e negociatave për antarësimin në BE. Ministri Për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ,është optimist për marrjen e përgjigjes.

Nuk është dakord ministri Ditmir Bushati me protestat e nisura nga opozita. Për më tepër që sytë i ka drejtuar nga Komisioni Europian në pritje të konfirmimit për reformat e realizuara nga qeveria.

Ditmir Bushati: “Kemi një ndryshim qëndrimi me opozitën, por nuk është hera e parë. Shpresoj t’i rikthehen rrugës së arsyes. 17 Prilli është një moment i rëndësishëm jo për qeverinë Edi Rama, jo për opozitën, por është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Ne mendojmë se Komisioni Europian të propozojë nisjen e bisedimeve për antarësim në BE çka do të ishte një sukses për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Ministri Bushati shprehet i sigurtë se përgjigja do të jetë pozitive për Shqipërinë madje shkon më tej duke thënë se përveç çeljes së negociatave pret që të nisë puna sfiduese për antarësimin e plotë në Bashkimin Europian.

Ditmir Bushati: “Ne presim që Komisioni Europian në 17 Prill të konfirmojë pikërisht reformat që janë bërë në Shqipëri dhe të propozojë nisjen e bisedimeve dhe më pas do të jetë një punë tjetër voluminoze me vendet antare të BE, siç dihet nevojitet konsensus i plotë në mënyrë që të nisë procesi i vështirë, sfidues për antarësim që nuk do të jetë aspak një proces i lehtë. Është shumë e vështirë të ecet me ‘nëse’ sepse ne po punojmë për këto që thashë”.

Deklaratat, ministri Bushati i bëri pas një mbledhje në Partinë Socialiste të Shkodrës si koordinator politik i këtij qarku. Gjatë mbledhjes, Bushati ishte kritik me disa prej drejtorëve sa i përket qasjes ndaj qytetarëve në shërbime ashtu siç kërkoi që të nisë puna për fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 2019-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!