Bushati i përgjigjet Ballës: Shkodra e di kush e kandidoi Valdrin Pjetrin

schedule21:32 - 5 Shtator, 2019

schedule 21:32 - 5 Shtator, 2019

Ditmir Bushati thotë se nuk është ai propozuesi i Valdrin Pjetrit në Shkodër, siç u shpreh numri dy i socialistëve Taulant Balla. Deklarata u bë gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, gatë së cilës ish-drejtuesi politik i qarkut Shkodër tha se për raste të tilla edhe Partia Socialiste duhet të mbajë përgjegjësinë e saj.

Një ditë pas deklaratave të Taulant Ballës se kandidatura e Valdrin Pjetrit në Shkodër ishte propozuar nga Ditmir Bushati, ish-Ministri i Jashtëm ka folur për Zërin e Amerikës.

“Shkodra e di kush e kandidoi Valdrin Pjetrin. Asambleja e Partisë socialiste propozoi 3 kandidatë të tjerë”, citohet Bushati nga Zëri i Amerikës. Ish-drejtuesi politik I qarkut Shkodër thotë se përveç përgjegjësisë ligjore individuale edhe PS duhet të mbajë pjesën e saj të përgjegjësisë për raste si Pjetri.

Ditmir Bushati: Besoj se ne, jo vetëm duhet të njohim përgjegjësinë politike në raste të tilla, por edhe ta ushtrojmë atë. Përgjegjësia politike në këtë rast mund të ushtrohet përmes një reformë politike, që do të sillte në qendër të vendimmarrjeve tona, anëtarin e PS-së. Natyrisht, nuk kam përjashtuar asnjë çast as veten nga përgjegjësi të tilla, edhe kur kam thënë që, ne nuk kemi pse mos të guxojmë të kërkojmë ndjesë për vendimmarrje të gabuara dhe kur kam deklaruar që askush prej socialisteve e progresisteve shqiptarë nuk ka pse të ndjehet i ligështuar prej vendimmarrjeve të gabuara nga ana jonë.

Bushati thotë se ka folur në strukturat e PS për personat me të shkuar të dyshimtë që kanë ndikim politik

Ditmir Bushati: Debatet për sa i përket procesit të dekriminalizimit dhe influencës në politike të njerëz me të shkuar të dyshimtë apo persona të cilët janë shpallur “non grata” nga SHBA, unë kam preferuar për ti zhvilluar brenda kryesisë që në vitin 2016.

Bushati ka hedhur poshtë mundësinë që t’i bashkohet lëvizjes Vetëvendosje, siç u shpreh Albin Kurti në një intervistë për ABC News.

Bushati: Nuk kam asnjë arsye, e jo më ambicie për të lëvizur nga Partia Socialiste të cilën e konsideroj familjen më të madhe politike në vend…. Sot më shumë se kurrë mendoj që ne kemi nevojë për të hedhur një tjetër hap drejt demokratizimit të mëtejshëm të PS-së, për të dëshmuar që jemi në gjendje për tu vetëkorrigjuar.

Ish-Ministri i Jashtëm mendon se kriza politike ka ndikimet e saj si për vendimmarrjen e Tetorit të BE, ashtu edhe në drejtimin nga Shqipëria të OSBE-së në Janar të vitit të ardhshëm. Prandaj sipas tij duhet vullnet nga të gjithë aktorët politikë për të mos i humbur si momente historike për vendin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!