Ministri Ditmir Bushati zhvilloi një takim me homologun e tij grek Nikos Kotzias, gjatë ministerialit të ministrave të jashtëm që po mbahet në Selanik. Bushati dhe Kotzias morën në shqyrtim ecurinë e paketës së dakordësuar mes palëve në Kretë dhe Korçë. Dy ministrat vlerësuan përmbylljen me sukses të një pjese të elementëve përbërës të saj dhe shprehën angazhimin për të vijuar me të njëjtin ritëm për të jetësuar zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e rëna dakord.
Ministri Bushati vlerësoi progresin e arritur në takimin e ekipeve negociatore javën e shkuar, ndërsa u shpreh optimist për takimin e radhës që do të zhvillohet në Athinë. Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se disa çështje për të cilat palët kanë dakordësi finale janë në zbatim tashmë dhe po punohet për pjesën tjetër të paketës siç është njohja e patentave apo çështjet e kufirit detar dhe tokësor. Në një deklaratë të shkurter pas takimit, ministri Bushati u shpreh optimist për ecurinë e bisedimeve.
“Ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të shkojnë drejt një marrëveshjeje të re. Një marrëveshje që do të jetë e mirë për të dyja vendet. Diskutuam gjithashtu edhe për pjesën tjetër të paketës. Kemi një dokument përsa i përket njohjes së ndërsjelltë të lejeve të qarkullimit”, u shpreh Bushati./abcnews.al