Nis operimin Bursa Shqiptare e Energjisë përmes lançimit të ankandit të parë të tregut të ditës në avancë. Prezent në event është zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ambasadorja amerikane Yuri Kim si edhe ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.
ALPEX është bursa e dytë operacionale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si një domosdoshmëri për të garantuar transparencë, konkurencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve. Rizvanolli tha gjatë fjalës së saj se bursa mes dy vendeve do të sigurojë më shumë mundësi ndërkufitare.
“Po mblidhemi sot këtu në një kohë kur gjatë 12 muajve që kemi lënë pas kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm mes KEK dhe KESH. Falë kësaj pune, kemi mbrojtur shtetet tona nga importet e shtrenjta të energjisë duke kursyer rreth 50 milionë euro qytetarëve të Kosovës, besoj një vlerë të ngjashme edhe atyre të Shqipërisë dhe për t’i mbrojtur ata nga rritja e mëtejme e energjisë.
Ky bashkëpunim nga kompanitë tona ka rrënjët mes qeverive tona. ALPEX që po përurojmë sot është jetësim i këtij bashkëpunimi në të ardhmen dhe shkëmbimet e tilla do të bëhen përmes bursës tonë të përbashkët. Tregu i përbashkët siguron mundësi të reja biznesi si edhe më shumë mundësi ndërkufitare.
Kjo do të na lejojë të arrijmë përfitime në efikasitet dhe standarte më të larta të shërbimit. Tanimë jemi një hap më afër arritjes së këtij synimi nëpërmjet themelimit të ALPEX , si operator për menaxhimin e tregjeve. Duke pasur parasysh zhvillimet e deritanishme në këtë proces, presim që në shtator të fillojmë me ankandin e parë që do të tregtohet përmes ALPEX përmes zonës tregtare të Kosovës, njëkohësisht edhe bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri”, tha ajo./abcnews.al