Burimet diplomatike: Samiti BE-Ballkan do prodhojë arritje

schedule12:51 - 20 Shtator, 2021

schedule 12:51 - 20 Shtator, 2021

Nga Erisa Zyka: 

Burime diplomatike të Bashkimit Europian bëjnë të ditur për ABC, se presidenca sllovene po bën të gjitha përpjekjet e nevojshme, që samiti i liderëve BE-Ballkan Perëndimor, që do mbahet në 6 tetor në Brdo të Sllovenisë të jetë një sukses. Sipas këtyre burimeve, samiti do të shërbejë si një mundësi për liderët për të diskutuar një sërë çështjesh kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do prodhojë arritje të rëndësishme.

Ndër diskutimet midis liderëve përfshihet edhe qasja për zgjidhjen e ngërçit të krijuar lidhur me mosmarrëveshjen bilaterale për shkak të çështjeve historike dhe të gjuhës midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Samiti mund të shërbejë si mundësi për të njohur më mirë qëndrimin e Bullgarisë, që ka vendosur veto aktualisht për aprovimin e kuadrit negociues me Maqedoninë e Veriut. Bullgaria gjendet në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe presidenciale të 14 nëntorit. Vendi ka zhvilluar tashmë dy zgjedhje parlamentare në prill dhe korrik, por tri partitë kryesore në vend kanë dështuar për të formuar një koalicion qeverisës. Nëse do të ketë një kapërcim të ngërçit pas zgjedhjeve të 14 nëntorit, kjo do t’i hapte rrugë hapit të rradhës që Bashkimi Europian duhet të ndërmarrë me Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm. Aprovimi i kuadrit negociues me Maqedoninë do t’i hapte rrugë edhe aprovimit të kuadrit negociues me Shqipërinë dhe të dyja vendimet do të çonin drejt hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Edhe pse zgjerimi nuk është në axhendën e ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian në 21 shtator, nuk përjashtohet fakti, që ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian të diskutojnë çështjen e zgjerimit në mënyrë jo zyrtare. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!