Nga e enjtja ka filluar zbatimi i Aktit Normativ për lirimin me leje të posaçme të të dënuarve për shkak të epidemisë së COVID-19.
Të Premten nga burgu i Fushë-Krujës janë liruar 7 të dënuar që kanë përfituar nga leja e posaçme për tu vetizoluar në shtëpi.
Njëri prej tyre tregon për “ABC News” historinë e tij.
“Tani do të qëndrojmë tre muaj në shtëpi dhe do të kthehemi përsëri në 1 korrik. Jemi 6 veta në një dhomë dhe nuk respektohet dot distanca. Jemi të kënaqur deri diku sepse do të qëndrojmë me prindërit”, u shpreh ai.
Burime të “ABC News” bëjnë me dije se deri tani janë dorëzuar 494 kërkesa nga të dënuarit.
Kujtojmë se nga ky akt normativ përfitojne 570 të burgosur nga 19 burgje te vendit.
Ky Akti Normativ u jep mundësi lirimi të përkohshem personave që janë të dënuar me vendim të formes së prerë, që vuajnë nga sëmundje kronike e qe u kane mbetur edhe 3 vite për shlyerjen e dënimit.
Po ashtu përfitojnë edhe personat që janë mbi moshën 60 vjeç të cilëve u ka mbetur pa kryer nga dënimi i dhënë deri në pesë vjet burgim.
Akti Normativ ka përjashtuar të dënuarit të cilët akuzohen për vepra të rënda kriminale. Të dënuarit që përfitojnë leje të posaçme do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 3 muaj.
Institucionet përgjegjëse, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk japin asnjë informacion zyrtar në lidhje me të dënuarit që kanë përfituar.
Gjithashtu këto institucione i janë shmangur interesimit të mediave për kohën kur ka filluar lirimi i të dënuarve./abcnews