Gjykata e Posaçme ka dënuar Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin drejtues të një grupi kriminal që gjatë viteve 2018–2024 kanë transportuar drejt Zvicrës sasi të mëdha droge të llojeve kokainë, heroinë, marijuanë dhe ekstazi, që vinin kryesisht nga Amerika Latine dhe Gjermania.
Gëzim Bakalli dhe Erjon Loci janë dënuar me 19 vite dhe 12 vite burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar GJKKO dënoi përfundimisht Bakallin me 12 vite e 8 muaj burgim ndërsa Locin me 8 vite burgim.
Pjesë e grupit kriminal që drejtohej nga Gëzim Bakalli ishin dhe shqiptarë të tjerë, por edhe shtetas zviceranë, turq dhe italianë. Anëtarët e grupit kriminal komunikonin me njëri tjetrin përmes platformave të enkriptuara “Sky ECC”, “Threema” dhe “Signal”, që përdoreshin nga ta për të shmangur zbulimin nga autoritetet.
Gjatë kontrolleve të kryera asokohe në vendin tonë dhe ne Zvicër u sekuestruan rreth 1400 kg kokainë, 22.25 kg heroine, 2 kg marijuane, 10´000 tableta ekstazi si dhe armë zjarri e dokumente.
Sipas Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion Bakalli dyshohet se ka qenë drejtues dhe financues i veprimtarisë kriminale, me të paktën 15 episode të dokumentuara, ndërsa Loci ka ndihmuar në të paktën 6 raste të transportit dhe tregtimit të drogës.
Vuajta e dënimit për dy të dënuarit Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.


