Burg përjetë vrasësit të gazetares suedeze

schedule22:55 - 25 Prill, 2018

schedule 22:55 - 25 Prill, 2018

Një gjykatë në Danimarkë ka dënuar me burgim të përjetshëm projektuesin e nëndetëseve, i akuzuar për vrasjen dhe gjymtimin e trupit të një gazetareje. Ndonëse një gjeni, gjykata e ka cilësuar Peter Madsen një njeri të fiksuar pas vrasjeve, gjymtimeve dhe armëve të ftohta.

Shpikësi danez i nëndetëseve, Peter Madsen është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e gazetares suedeze Kim Val, në bordin e një prej mjeteve të tij nënujore. Sipas hetuesve, Madsen e kishte planifikuar deri në detaj vrasjen e reporteres 30-vjeçare, ose duke e mbytur, ose duke i prerë gurmazin.

Nuk dihet se cilën prej tyre ai ka zgjedhur, por ajo që dihet është se pas vrasjes, projektuesi ka copëtuar trupin e Val dhe më pas i ka hedhur pjesët në det. Policia daneze gjeti pjesë të trupit të viktimës 21 Gushtin e vitit të kaluar, 11 ditë pasi gazetarja kishte hipur në një nëndetëse për ta intervistuar Madsen.

47-vjeçari është shpallur fajtor për agresion seksual dhe vrasje me paramentim, me gjykatën që ka hedhur poshtë deklaratat e tij se vrasja kishte qenë aksidentale.

“Ai kishte përgatitur një plan cinik për të vrarë Kim Val, që në kuadër të punës së saj si gazetare kishte pranuar të hipte në një nga nëndetëset e tij”, ka deklaruar gjyqtarja e çështjes Anet Burko.

Anëtarja e togave të zeza ka shtuar se Madsen është një njeri i joshur nga vrasjet, gjymtimet dhe përdorimi i armëve të ftohta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!