Bundesliga/ Leipzig merr në transfertë kryesimin e kampionatit, Leverkusen kalon me sukses “pengesën” Frankfurt

schedule17:56 - 19 Tetor, 2024

schedule 17:56 - 19 Tetor, 2024

Pritej fitore nga favoritët dhe ashtu ndodhi.

Gjithçka ka shkuar në mënyrë perfekte për “gjigantët” e futbollit gjerman, të cilët kanë arritur të sigurojnë fitoret e radhës në kampionat, me skuadrën e RB Leipzig, që përveç fitores ka arritur të marrë edhe kreun e tabelës.

“Demat” e Marco Rose fituan me shifrat e pastra, 2-0, transfertën e Mainz, pas golave të Xavi Simons e Ëilly Orban, që në pjesën e parë, për tu ngjitur kështu në vendin e parë të tabelës, me plot 17 pikë pas 7 javësh kampionat.

Triumf të madh arritën edhe “Aspirinat” e Bayer Leverkusen të cilët mundën në “BayArena” skuadrën e Eintracht Frankfurt, me shifrat 2-1, me Roman Andrich e Vitor Boniface që përmbysën rezultatin, pas golit të “yllit” egjiptian Omar Marmoush, duke u ngjitur në vendin e 4-t të tabelës, me 13 pikë, ndërsa “Shqiponjat” e Eintracht ndodhen një vend më posht me 13 pikë.

Goxha në renditje u ngjit edhe skuadra e Freiburg, e cila mundi me rezultatin 3-1, skuadrën e Augsburg pas golave të Grifo, Gunter e Lienhar, duke u ngjitur në vendin e dytë të tabelës, me 15 pikë, ndërsa Augsburg mbetet në vendin e 15-të me 7 pikë.

Në sfida të tjera, Borussia Monchengladbach mundi me shifrat 3-2 skuadrën e Heidenheim, ndërsa Hoffenheim fitoi 3-1 ndaj Bochum.

Sa i përket tabelës së renditjes, skuadra e Monchengladbach ngjitet në vendin e 10 me 9 pikë, po aq sa Heidenheim i një vendi më sipër, për shkak të golavarazhit, Hoffenheim ngjitet në vendin e 14-të me 7 pikë, ndërsa Bochum mbetet në vendin e fundit me vetëm 1 pikë, pas shtatë javës kampionat. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!