Bulqizë, plagosja e minatorit në galeri, vihen nën hetim brigadieri dhe tekniku i sektorit në minierë

schedule10:09 - 25 Mars, 2021

schedule 10:09 - 25 Mars, 2021

Bulqizë – Në vijim të ngjarjes së ndodhur gjatë ditës së djeshme, ku gjatë punës në një galeri të “Albchrome” u plagos minatori Edison Beka 31 vjeç, janë proceduar penalisht nga Policia tekniku i sektorit dhe brigadieri i një subjekti minerar.

Sipas policisë të proceduarit janë A. D., 53 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë teknik sektori në një subjekt minerar) si dhe F. K., 48 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë brigadier), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Këta persona kanë pasur detyrimin ligjor për kontrollin e gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, në një nga puset e subjektit minerar, gjatë punës është lënduar dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për Edison Beka., 31 vjeç, (me detyrë fadromist).

Mësohet se i plagosuri është aksidentuar në nivelin e 16 të minierës. 31 vjeçarit i ka rënë një masiv gurësh dhe ka dëmtime në gjoks dhe këmbë.

Shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë manovrimi i fadromës brenda në galeri duke dëmtuar strukturën armatike me profile metalike në zonën e Qafë Buallit. Për shkak të plagëve të marra, minatori është transportuar drejt spitalit të Traumë në Tiranë, me anë të një helikopteri.

Njoftimi i policisë:
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit :
A. D., 53 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë teknik sektori në një subjekt minerar).
F. K., 48 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë brigadier), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Shtetasit e lartëpërmendur kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, në një nga puset e subjektit minerar, gjatë punës është lënduar dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën E. B., 31 vjeç, (me detyrë fadromist).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.  E.L/abcnews.al/