Bulqiza u godit nga tërmeti dhe u “pushtua” nga mjegulla, banorët: Nuk është lojë

schedule10:37 - 29 Tetor, 2021

schedule 10:37 - 29 Tetor, 2021

Bulqiza ishte epiqendër e disa lëkundjeve sizmike në 24 orët e fundit, teksa goditja më e fortë u regjistrua mëngjesin e sotëm, 4.5 Rihter.

Të frikësuar banorët rrëfejnë se dolën me shpejtësi nga shtëpitë dhe lokalet. “U frikëm mjaft nga tërmeti. Dolëm krejt kush ishte në lokal dhe ndenjën deri kur u qetësua gjendja. Ra dy- tre herë” tha një banor.

Nuk është lojë, tërmet është, dolëm jashtë. Çfarë të bënim? Ne ishim në lokal brenda dhe dolëm përnjëherë jashtë” tha një tjetër.

Por a ka banesa të dëmtuara? “Jo, nuk dimë gjë për dëme në banesë” tha një tjetër.

Përpos tërmetit, Bulqiza është “pushtuar” edhe nga mjegulla mëngjesin e sotëm.

Në 24 orët e fundit vetëm në zonën e Bulqizës sipas IGJEUM-it, janë shënuar gjashtë lëkundje sizmike.

Për të mësuar më shumë, Abcnews.al kontaktoi sizmologun Rrapo Ormeni i cili u shpreh se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Kjo e sotmja duket se është një goditje kryesore. Tërmetet janë dy tipologji, goditja kryesore ka para dhe pas goditje. Shumica janë pasgoditje. Është tipi i tërmetit që është shoqëruar me paragoditje. Janë procese normale që ndodhin. Ky tërmet është normal, i vogël” tha ai.

Sizmologu qetësoi qytetarët kur tha se tërmeti i regjistruar sot në Bulqizë nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Durrës në 26 nëntor të 2 viteve më parë, tragjedia me 51 viktima. “Nuk ka lidhje. Është zonë tjetër nuk ka lidhje me zonën e Durrësit. Zona e Bulqizës është e dalluar, bie në cdo cdo vit një tërmet i kësaj madhësie”.

Muajin e fundit edhe Greqia është goditur nga disa tërmete të fuqishme, por sizmologu thotë se “Nuk ka lidhje, pasi Greqia është në pllakën e Egjeut, ne jemi me të Adriatikut”.

Burime nga Emergjencat Civile të Prefekturës së Dibrës shprehen se ka dëmtime të banesave të vjetra kryesisht.

Në njësinë Administrative Gjoricë ka plasaritje në muret e zyrave të njësisë Administrative, janë raportuar dy banesa të dëmtuara lehtë në fshatin Zogje dhe dy banesa në Njësinë Administrative Ostren në Gollobordë.

Grupet e emergjencave civile të Prefekturës Dibër dhe Bashkia Bulqizë janë në terren për të verifikuat dëmet e shkaktuara./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!