Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor, ku diskutoi mbi prioritetet dhe mbështetjen financiare të parashikuar në Buxhetin e vitit 2026.
Rama u shpreh se i duhet dhënë përparësi zhvillimit rural, teksa shtoi se do të ketë partneritet me qeverinë.
Kreu i qeverisë kritikoi bashkitë, duke u thënë se duhet të jenë afër fermerëve.
“BE vjen si një bekim për të gjithë ata që janë përgatitur, por edhe mallkim për ata që nuk janë gati. Kërkesa për standardet e sigurisë, cilësisë, shoqërohet me instrumenta kontrolli shumë të rreptë, që të nxjerrin nga tregu. 4 vjet janë të mjaftueshme për t’u bërë gati për atë ditë. Të hidhni hapa përpara. Do ju ftoja të gjithëve të jeni akoma më aktivë, për më shumë mbështetje financiare. Instrumentet janë. Është problemi te projektet, te mungesa e projekteve. Ju nuk keni as arsye të mendoni se duhet t’i bëni vetë. Prandaj është këtu rektori i UB, prandaj jemi edhe ne këtu, për t’ju dhënë asistencën e nevojshme. Bashkitë duhet të marrin përgjegjësinë sa i takon zhvillimit të fshatit. Kryetarët e bashkive, pas reformës, janë kujdestarë, qoftë të qytetit, qoftë të fshatit. Më e rëndësishmja te fshati janë ata që prodhojnë dhe ata që janë te toka. Bashkia duhet të jetë te toka, te ata që prodhojnë te toka. Kemi ikur nga faza e mbijetesës. Ajo bota ku duam të jemi pjesë, ka fluturuar. Duhet të jemi më shumë ambiciozë. Tani duhet të ndërtojmë partneritetet, aleancat, ku secili të bëjë pjesë e vetë. Paraja të mos mungojë për projektet, për investimet”, theksoi ai./abcnews.al

