Gianluigi Buffon nuk i kursen fjalët e mira për pasardhësin e tij, Gianluigi Donnarumma. Portieri i Parmës në një intervistë për mediet italiane lavdëron paraqitjet e tij në Europian dhe shprehet se pavarësisht diferencave në vite mes tyre, ai ende mëson gjëra nga Donnarumma.
“Ishte i shkëlqyer në Europian. Për pritjet, por mbi të gjitha për menaxhimin e situatave të ndryshme, ishte mbi të gjithë portierët e tjerë. Nëse në fillim të Europianit ai mund të konsiderohej ende një surprizë, në fund ai e konsolidoi vendin e tij, duke u bërë një nga pikat e referimit në mbarë globin.
Gigio do qëndrojë më shumë se unë në fushë? Nuk më intereson. Ajo që më intereson është se ai është një portier shumë i mirë dhe unë e shijoj lojën e tij dhe mund të mësoj ende diçka nga ai. Kam studiuar disa gjëra nga Donnarumma, që do më ndihmojnë të përmirësohem në vitet që më kanë mbetur në portë.
Për mua aftësia e të tjerëve asnjëherë nuk është problem. Kurrë nuk do më dëgjoni të them: ‘Të shohim nëse Donnarumma do jetë aq i fortë sa unë për 25 vite’. I admiroj fenomenët në futboll dhe në çdo sport”, tregon Buffon. /abcnews.al