Në Bruksel do vazhdojnë këtë javë negociatat Beograd-Prishtinë. Lajmi konfirmohet nga Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën.
Delegacioni serb do të drejtohet nga shefi i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriç. Tema diskutimi do të jenë marrëveshja për asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës, energjetika, ura në Mitrovicë, lëvizja e lirë dhe integrimi i menaxhimit të pikë kalimeve kufitare.
Raundi më i fundit i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në nivel teknik, me ndërmjetësimin e BE, u mbajt në 26 dhe 27 Shkurt, pas më shumë se një viti bllokimi.
Bashkimi Europian ka deklaruar se është e nevojshme të përshpejtohet diskutimi rreth zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Për këtë thuhet se delegacionet teknike do të takohen çdo dy javë në Bruksel.
Ndërkaq dialogu dy palësh do të shënojë këtë javë një tjetër takim mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçic në 23 Mars në Bruksel./abcnews.al