Bruksel, takim mes presidentëve Thaçi dhe Vuçiç

schedule11:39 - 18 Korrik, 2018

schedule 11:39 - 18 Korrik, 2018

Në Bruksel u zhvillua raundi i dytë i fazës finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Duke nënvizuar rëndësinë e kompromisit, presidenti Thaçi tha se ky ishte takimi më i vështirë në 5 vite. Ndërsa Vuçiç ripërsëriti qëndrimet e tij të vjetra.

Është zhvilluar në Bruksel takimi i radhës mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç, i cili u ndërmjetësua nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Federika Mogerini. Ky ishte takimi i dytë i fazës finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Pas përfundimit të tij, dy presidentët dhanë prononcime për mediat respektive. Thaçi njoftoi se ka Beogradi ende mendon që Kosova është pjesë e Serbisë.

Hashim Thaçi: “Ka qenë një takim i shkurtër, ka qenë një takim jo i lehtë, mund ta them shumë i vështirë. Ndoshta më i shkurti, por më i rëndi i të gjitha takimeve që kemi zhvilluar në këto 6 vite. Përkushtimi ynë për të ardhmen euroopiane është serioz, i përgjegjshëm, prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare. Unë ende shoh dritë në fund të tunelit megjithëse do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për arsye sepse Serbia ende mendon se Kosova është pjesë e saj. Ende jeton me mentalitetin e së kaluarës. Mashtrohen, gabohen rëndë. Ka qenë një takim shumë i rëndë me zotin Vuçiç. Edhe ai duhet ta kuptojë se Kosova është vend sovran, mirëpo duhet të kuptojmë që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që do të jetë fituese dhe kredibile për Kosovën dhe për Serbinë”.

Ndërsa president Vuçiç, pyetjes për njohjen e Kosovës, iu përjgigj me qëndrimet e tij të vjetra.

Aleksander Vuçiç: “Gjithmonë ndodhem para kësaj pyetjeje, se cila do të jetë zgjidhja e kompromisit. Kosova pret që ta njohim pavarësinë e saj, dhe si kompromis nuk ofron asgjë, pret vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, në çështjen e kompromisit, të dyja palët duhet të humbin diçka, jo njëra të fitojë gjithçka e tjera asgjë. Nëse jemi të dyja palët të pakënaqura, atëherë mund të themi se kemi arritur një zgjidhje të vërtetë kompromisi”.

Ndërkohë, zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, njofton se në takimin disaminutësh mes Presidentit Thaçi dhe Vuçiç, u diskutua për hapat drejt arritjes së një marrëveshjeje të obligueshme. Në njoftimin e dhënë nga zyra e Mogherinit thuhet se presidentët u pajtuan që takimin e radhës ta mbajnë pas disa javësh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!