Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i pranishëm në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë dhe gatishmërinë e Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve luftarake.
Reagimi i plotë:
Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, ku kryefjala ishte rritja e domosdoshme e kontributeve dhe kapaciteteve të vendeve aleate, në dritën e negociatave për një paqe të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.
Nën impulsin e ri amerikan, pritshmëritë janë të larta për një përpjekje më të madhe të vendeve evropiane në forcimin e kapaciteteve luftarake dhe marrjen e përgjegjësive të reja për mbrojtjen e kontinentit.
Shpreha gatishmërinë e Shqipërisë që shtimin e burimeve financiare për mbrojtjen ta përkthejmë në:
- më shumë kapacitete operacionale,
- ringjallje të industrisë ushtarake,
- infrastrukturë në mbështetje të modernizimit të forcave tona dhe në funksion të Aleancës.
Në këtë kontekst, një industri ushtarake reaguese është kyçe për të prodhuar armatimin, municionet dhe pajisjet e nevojshme.
Gjithashtu, theksova nevojën për vigjilencë të shtuar të Aleancës në Evropën Juglindore, veçanërisht në raport me Kosovën, si dhe në zonën Adriatiko-Joniane, ku planet aleate meritojnë të përditësohen me veprime të reja strategjike përballë sfidave të shumta hibride me të cilat po përballemi.