Brruti, “sherr” shqiptarësh/ Talenti nga Kosova merr ftesë nga Sylvinho, plasin polemikat

schedule12:35 - 10 Mars, 2025

schedule 12:35 - 10 Mars, 2025

Etnik Brruti është risia më e madhe e Silvinjos në listën me futbollistët që do të grumbullojë për sfidat e marsit dhe të parat në eliminatoret e “Botërorit 2026”.

Mesfushori 21 vjeçar ka vendosur të veshë fanelën kuqezi, duke lënë atë të Kosovës në një kohë që ishte kapiten i kombëtares U21.

Lajmi i publikuar nga mediat në kosovare gjeti konfirmimin nga familjarët dhe menaxheri i futbollistit, Eros Grezda, ish lojtari I përfaqësueses shqiptare.

Por nëse në Federatën Shqiptare të Futbollit presin Silvinjon për të komentuar pas zyrtarizimit të listës për kualifikueset e marsit, në Kosovë kanë shpërthyer polemikat.

Fakti që një tjetër futbollist largohet nga “Dardanët” duke zgjedhur ngjyrat kuqezi nuk është pritur mirë, ndërsa nuk kanë munguar edhe etiketimet si tradhëtar në drejtim të vetë futbollistit.

Por tashmë, Brruti e ka bërë zgjedhjen e tij dhe 21 vjeçari do të jetë pjesë e kombëtares së Shqipërisë për ndeshjet e 21 dhe 24 marsit kundër Anglisë dhe Andorrës për kualifikueset e “Botërorit 2026”.

Mesfushori që luan me Malishevën nuk do të jetë risia e vetme e Silvinjos për këto sfida.

Pritet që me ngjyrat kuqezi të kthehet Anis Mehmeti, ndrësa ftesa kanë shkuar për dy lojtarët e Superiores, Naser Aliji të Dinamo City dhe Edison Ndreca të Egnatia. Një tjetër debutues është Julian Shehu që luan në Poloni me Lodz, por për t’u mësuar mbetet nëse këta lojtarë do të jenë pjesë e listës së parë apo asaj në pritje.

Të gjitha këto pikëpyetje do të marrin përgjigje në fundjavë, kur Silvinjo do të zyrtarizojë edhe lojtarët që do të ketë në dispozicion për sfidat e marsit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!